Site icon Telegrafi

Lista Serbe i bindet presionit ndërkombëtar për të votuar demarkacionin

Një presion i madh ndërkombëtar po zhvillohet ndaj Listës Serbe për të votuar nesër Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Burime të Klan Kosovës marrin vesh se të mërkurën, një delegacion i Srpskas, i kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar Slavko Simiq, ka udhëtuar në Beograd për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb po përpiqet të bindë deputetët për të votuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Merret vesh se edhe Vuçiq ditëve të fundit është vendosur para një presioni të madh ndërkombëtar nga përfaqësues të Kuintit dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, për të mos lejuar që deputetët e Listës Serbe të bllokojnë këtë marrëveshje.

Deputetët serbë në këmbim të votës “pro” kanë kërkuar garanci nga ndërkombëtarët dhe partnerët e koalicionit qeveritar një qasje konstruktive të Kosovës në raport me dialogun e Serbisë dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Në takimet me përfaqësuesit e Kuintit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë luajtur rol konstruktiv.

Deri më tani ka patur shumë pak deklarime të përfaqësuesve të kësaj partie për sa i takon kësaj teme.

Ka qenë vetëm deputeti Igor Simiq, i cili dy ditë më parë kishte deklaruar se Demarkacioni me Malin e Zi ka rëndësi vetëm për shqiptarët dhe jo për serbët.

“Për Listën Serbe ka rëndësi Asociacioni dhe jo ndarja e tokës ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo çështje është e rëndësishme vetëm për shqiptarët”, ka qenë deklarata e Simiq.

Nëse Lista Serbe do t’i bindet presionit ndërkombëtar dhe nëse partitë politike përpos Vetëvendosjes votojnë në bllok për ratifikimin e  demarkacionit me Malin e Zi, atëherë ditën e nesërme do të ishin 88 vota për këtë marrëveshje ndërkombëtare, e cila mëton të zhbllokojë procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kjo nënkupton votën pro nga PDK, AAK, Nisma, Listën Serbe, pakicat joserbe dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

 

Exit mobile version