Cilët ministra do të mbeten pa funksione do të mbetet sekret deri të premten, kur pritet që kryeministri Zoran Zaev edhe zyrtarisht ta dorëzojë listën me ministrat e rinj në Kuvend.
Zyrtarisht akoma nuk është njoftuar asgjë, por emri i ri në kabinetin e kryeministrit pritet të jetë Goran Millevski, kryetari i Partisë Liberal-Demokrate, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai nuk ka komentuar këtë informacion, ndërsa në një deklaratë për Kanal5 ka thënë se partia e tij pret që të ketë ministri pa resor.
“Nuk dua të komentoj. Vendimin për funksionarët e rinj është korrekte t’i publikojë mandatari Zoran Zaev. PLD pret që të marrë ministri pa resor”, tha Milevski.
Ajo që është e sigurt është se Ministria e Kulturës, Bujqësisë dhe ajo për Sistem Politik do të kenë udhëheqës të rinj.
Sipas informacioneve nga partia shqiptare në pushtet BDI, ministri aktual i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku, do të jetë në krye të ministrisë së re për Sistem Politik, ndërsa në vend të tij pritet të ulet Naser Nuredini, djali i afaristit Aki Nuredini.
Në fillim të javës së ardhshme pritet të mbahet seanca kuvendare, në të cilën deputetët do të votojnë për përbërjen e re qeveritare./Telegrafi/