Pas rreth katër orë bllokimi të rrugës “Rexhep Luci” në kryeqytet, autoritetet e sigurisë dhe ato të drejtësisë kanë liruar tashmë qytetarët dhe automjetet të qarkullojnë lirshëm.
Bajram Kelmendi nga Policia e Kosovës i ka thënë arbresh.info se Policia ka bërë rikonstruktimin e vendit ku ka ndodhur vrasja e vitit 2014 e punëtorit të sigurimit në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë.
“Jemi në asistencë të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në vitin 2014 ka ndodhur një vrasje dhe jemi duke e siguruar vendin që ta kenë më të lehtë hetimin organet e drejtësisë”, ka thënë Kelmendi.
I pyetur se sa do të zgjasin hetimet, ai ka thënë se kjo nuk mund të dihet aktualisht pasi gjithçka varet nga dëshmitë që do të gjenden.
Rrahman Uka, ish-punëtor i sigurimit të kafenesë “Bon Vivant”, mbeti i vrarë më 13 tetor të vitit 2014 për shkak të një konflikti që kishte ardhur si pasojë e moslejimit të futjes në lokal të një personi.
Për këtë vrasje akuzohen dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, ndërsa sipas ligjeve në fuqi, në rast se shpallen fajtorë, ata rrezikojnë të dënohen nga 5 deri me 40 vjet burgim, kurse varësisht nga vlerësimet e rrethanave edhe me burgim të përjetshëm.