Telegrafi

Lirohet personi që u arrestua mbrëmë në sheshin “Nënë Tereza” për mos-mbajtje të maskës

Personi që u arrestua mbrëmë nga policia në sheshin “Nënë Tereza”, për shkak të mos-mbajtjes së maskës është liruar sot.

Kjo u bë e ditur nga avokati i tij Fanol Krasniqi.

Pas pamjeve që u bënë virale në momentin e arrestimit nga policia, pati reagime të shumta nga shoqëria civile.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka konsideruar se përdorimi i forcës është në shpërputhje të plotë me rrezikun real pasi qytetari i dhunuar nuk i ka rrezikuar as policët në detyrë e as sigurinë e të tjerëve.

E zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Telegrafin se të njëjtit iu është tërhequr vërejtja disa herë, por nuk ka përfill urdhrat e zyrtarëve policor.

Sipas Hoxhës, qytetarit i është kërkuar dokumenti i identifikimit nga zyrtaret dhe ka kuptuar se po i shënohet fletëparaqitje sipas Ligjit për pandeminë COVID-19 dhe ka filluar të përdorë shprehje dhe sjellje ofenduese e kërcënuese.

Lidhur me rastin hetimet i ka nisur edhe Inspektorati i Policor i Kosovës.