Telegrafi

Lirohet nga spitali dhe dërgohet në paraburgim njëri nga të plagosurit në përleshjen e armatosur në “Aktash” të Prishtinës

Njëri nga të plagosurit në rastin e përleshjes së armatosur mes anëtarëve të familjeve Gashi (Capat) dhe Sekiraqa është liruar nga spitali të hënën (09.09.2024).

Kështu ka konfirmuar kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, i cili ka thënë se i pandehuri V.A. pasi është liruar nga trajtimi mjekësor tashmë është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“V.A., njëri nga të pandehurit, i cili ka qenë në trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë, pardje, para dy ditëve, është liruar nga trajtimi mjekësor edhe është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Portali ka siguruar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve të rastit të përleshjes me armë zjarri, incident nga i cili më 01.09.2024 mbeti një i vrarë dhe pesë të plagosur.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pesë të dyshuarve, të cilët po trajtoheshin në QKUK pas plagëve të marra në përleshjen që ndodhi në lagjen “Aktash” të Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të pandehurit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Valdrin Ademi, Fatos Abazi, Korab Gashi dhe N.N, secili veç e veç kishin për të kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 01.09.2024 rreth orës 22:04 në kafiterinë “From” dhe jashtë saj, në rrugën “Gazmend Zajmi”, në Prishinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuara në mes të tani të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa, përkatësisht familjeve Gashi dhe Sekiraqa nga Prishtina, me qëllim të qërimit të hesapeve mes tyre, “fillimisht i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi të maskuar, të pajisur me armë zjarri pa leje në bashkëkryerje dhe me qëllimin që të privojnë nga jeta tani të pandehurin Salih Sekiraqa, djalin e tij të mitur Sh.S. dhe të pandehurin Faton Abazi, hyjnë në lokalin-kafiterinë ‘From’, ku kishte pasur edhe persona të tjerë brenda”.

Dosja e Prokurorisë më tej shpjegon se me breshëri nga armë të gjata gjuajnë në drejtim të të pandehurit Salih Sekiraqa, djalit të mitur Sh.S. dhe të pandehurit Faton Abazi e më pas i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi, pasi veprojnë si në mënyrën e lartcekur fillojnë tërheqjen nga brenda lokalit-kafiterisë, në rrugën “Gazmend Zajmi” ku u bashkohen dhe i pandehuri Valdrin Ademi dhe persona të tjerë të dyshuar të panjohur dhe vazhdojnë përleshjen me të pandehurit Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, atyre u bashkohet edhe i pandehuri Robert Llumnica dhe persona të tjerë të panjohur, me ç’rast të pandehurve Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi dhe Robert Llumnica u shkaktojnë lëndime trupore për çka menjëherë pas arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes dërgohen për tretman mjekësor në QKUK Prishtinë.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, pasi i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi fillojnë të tërhiqen nga lokali-kafiteria “From” të pandehurit Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi, duke mos u përmbajtur pas kalimit të rrezikut dhe pasojave të pësuara, me qëllim të privimit nga jeta të pandehurin Korab Gashin dhe tani të ndjerin Premtim Gashi, nga brendësia e lokalit “From” dhe jashtë tij në vendin ku ka pasur persona të tjerë fillojnë t’i gjuajnë me armët e zjarri pa leje të pandehurin Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi dhe të pandehurin Valdrim Ademi si dhe të pandehurit e tjerë të panjohur që u bashkohen këtyre të fundit, me ç‘rast përleshja e armatosur zhvendoset nga lokali-kafiteria “From” në rrugën “Gazmend Zajmi”.

Tutje dosja e Prokurorisë shpjegon se si pasojë e veprimeve të të pandehurve Salih Sekiraqa, Faton Abazi dhe Valdrin Ademi si dhe të pandehurve të tjerë të panjohur privohet nga jeta tani i ndjeri Premtim Gashi, i cili goditet nga pesë plumba, prej tyre dy në këmbë, një në stomak dhe një kokë.

Ndërsa, më tej, sipas dosjes, të gjithë të pandehurit Korab Gashi dhe Valdrin Ademi pësojnë lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit për çka menjëherë pas arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes dërgohen për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të pandehurit e panjohur dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorik me katër rrota largohen në drejtim të pjesës së epërme të rrugës “Gazmend Zajmi”, dhe të tjerë largohen nga pjesa anësore e epërme e lokalit “From”. /Kallxo.com/