Telegrafi

Lirohet nga burgu Ismail Morina-Ballisti

Lirohet nga burgu tifozi i kombëtares Kuq e Zi, Ballist Morina. Tifozi u arrestua nga policia e Kukësit paraditen e 25 majit në qytetin e Kukësit.

Ndaj Morinës kishte urdhër arresti, pasi kishte edhe 5 muaj burg pa shlyer për armëmbajtje pa leje. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për BalkanWeb se Gjykata e Durrësit ka pranuar që të gjykojë të lirë Morinën, duke e liruar nga burgu.

“Vendim revokimi për vendimin penal në mungesë. Procedurat e mëtejshme duhet t’i bëjë Gjykata e Apelit në Durrës, e cila është gjykatë kompetente për të shqyrtuar çështjen e gjykatës së Shkallës së Parë Durrës”.

Lexo po ashtu Arrestohet Ismail Morina - Ballisti

“U pranua kërkesa e tij për lirim. Do të jetë i lirshëm sepse hetimi për të ka mbaruar tashmë. Ai ka një vendim dënimi dhe i mbeten pa vuajtur 5 muaj e 12 ditë, të cilin do ta konvertojë me shërbimin e provës”, ka thënë avokati Gramoz Lika.

Tifozi i njohur për lëshimin e dronit në Beograd ishte vënë në pranga, pasi kishte një urdhër arresti dhe me vendim të Gjykatës së Durrësit ishte dënuar me 5 muaj e 12 ditë burg për armëmbajtje pa leje. /Telegrafi/