Telegrafi

Lirohet nga akuza për keqpërdorim të pozitës, ish-drejtori i Inspekcionit në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim lirues ndaj të pandehurit D.D për shkak se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës, apo autoritetit zyrtar.

Sipas komunikatës për medie, në periudhën kohore nga data 07.05.2014 e deri me datë 14.11.2016, i pandehuri D, duke qenë në pozitën e personit zyrtar dhe atë të Drejtorit të Drejtoratit të Inspekcionit Komunal, pranë Komunës së Pejës, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin Nr. 04/L-110 të datës 03.07.2021, si dhe nenin 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, duke lejuar ndërtimin e 14 objekteve, banesore dhe afariste pa leje, përkatësisht tejkalim të lejeve urbanistike, duke ju mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve-investitorëve të atyre objekteve.

“Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer vepër penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së. Gjykata për të pandehurin D.D, e ka liruar nga akuza meqenëse nuk është provuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/