Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurës L.D, e cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, akuzohet se ka kryer veprat penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe lëndim i lehtë trupor.
Gjyqtari pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se e akuzuara, L.D. ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
E pandehura L.D. akuzohet se nga fillimi i vitit shkollor 2015 e deri më 11 dhjetor 2015, në shkollës fillore Emin Duraku në Gjakovë, si arsimtare e matematikës në mënyrë të vazhdueshme si person zyrtar, keqpërdor detyrën zyrtare dhe autorizimet e saj dhe keqtrajton, frikëson personin tjetër përkatësisht nxënësin e saj të klasës Vl/., fëmijën E.S. duke e goditur me shuplaka e po ashtu, më 11 dhjetor 2015, në orën e matematikës e akuzuara merr rripin e nxënësit R.P. i cili e kishte mbi bankë dhe me të e kishte goditur në kokë dhe në trup nxënësin E.S. duke shkaktuar tek fëmija frikë, ankth dhe mos guxim të vijimit të mëtejmë të mësimit pranë asaj shkolle. /Telegrafi/