Dy gazetarë të agjencisë së lajmeve Reuters janë liruar në Myanmar të cilët ishin burgosur për raportimin mbi krizën e komunitetit Rohingya.
Wa Lone, 33 vjeç dhe Kyaw Soe Oo, 29 u liruan pas një amnistie presidenciale. Ata kaluan më shumë se 500 ditë burg në periferi të Yangon.
Ata ishin dënuar me shtatë vet burg shtatorin e kaluar.
Dënimi me burg ndaj dy gazetarëve është parë si sulm ndaj lirisë së shtypit duke vënë në pikëpyetje demokracinë e Maynmarit.
Pas lirimit nga burgu, Wa Lone u zotua se do të vazhdojë raportimin dhe tha se ishte i emocionuar të kthehet në punë.
“Jam shumë i lumtur dhe i gëzuar të shoh familjen time dhe kolegët e mi. Mezi pres të shkoj në redaksinë time”, tha ai për BBC.
Të dy gazetarët janë të martuar dhe kanë fëmijë, përcjell KosovaPress.
Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, janë qytetarë të Myanmarit që punonin për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.
Ata kishin mbledhur prova për vrasjen e 10 burrave të komunitetit Rohingya nga ushtria në fshatin Inn Din në Rakhinë e veriut në shtator të vitit 2017. /kp/Telegrafi/