Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, tre policët që u liruan sot nga paraburgimi në Serbi, pritet të arrijnë sot gjatë ditës në Kosovë.
Siç mëson Telegrafi, ata do të arrijnë rreth orës 14:00 në Kosovë.
Gjykata në Kralevë mori sot vendim për lirimin e tyre, ndërsa pas vendimit ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, transmeton Telegrafi.
Kurti ka thënë se edhe kidnapimi i tyre konsiston në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer tashmë janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky kidnapim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Kurti në Twitter.
Tre policët ishin arrestuar më 14 qershor brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe. Arrestimi i tyre kishte nxitur reagime të shumta nga institucionet e Kosovës, të cilat edhe kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre.
Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kishin kërkuar lirimin e tre policëve. /Telegrafi/