Telegrafi

Lirimi i tre policëve, Berisha: Të dënohen autorët që ngjarje të tilla të mos përsëriten

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka konsideruar lirimin e tre policëve të Kosovës, si një zhvillim pozitiv, mirëpo sipas tij, nuk duhet të mbetet me kaq.

Në një dalje për mediat, Berisha tha se tashmë fokusi do duhet të jetë te zbardhja e së vërtetës dhe ndëshkimi i autorëve, pasi thekson se kjo është e vetmja mënyrë që histori të tilla të mos përsëriten.

“Tre anëtarët e Policisë së Kosovës, me një vendim politik të urdhëruar Gjykata e Kralevës i liroi ata. Me këtë rast, dua të falënderoj shumë, qeverinë e SHBA-së, BE-në, NATO-n dhe kryeministrin e Hungrisë, Viktor Orban të cilët kërkuan lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të policëve shqiptarë të Kosovës”, tha Berisha.

Lexo po ashtu Fotografia e parë e tre policëve pas lirimit

“Sigurisht që lirimi i tyre, ishte një vendim në drejtimin e duhur, por zbardhja e të vërtetës, mbi këtë akt dhe ndëshkimi i organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij akti, të pashembullt them dhe njëherë, nga vitet ’50 gjer sot, është i domosdoshëm në mënyrë që histori të tilla, të mos mund të përsëriten më”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, ai nuk i kurseu akuzat për kreun e qeverisë Edi Rama, sipas së cilit po ndërhyn në politikat e brendshme të Kosovës.

“Dënoj sulmet e Ramës në qeverinë e Kosovës, përpjekjet e tij për të marr një rol të caktuar në këtë problem të madh, të thellë, për Europën dhe NATO-n. Rama ka një përgjegjësi direkte në bllokimin e zhvillimit pozitiv mes Kosovës dhe Serbisë, ai u bë krah i Serbisë së Madhe. Rama i urdhëruar nga Vucic mori sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, ai del me deklarata dhe veprime, prapa cilës ka interesa anti shqiptare kundër Kosovës dhe interesa personale të shpëtimit të tij nga hetimi penal për çështjen McGonigal”, përfundoi Berisha. /Telegrafi/