Telegrafi

Lirimi në arrest shtëpiak i Pantiqit, ministrja Haxhiu: Akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pas zëvendësimit të masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, të ish policit serb Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor në veri.

Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se Kërkesa dhe vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiq, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues.

Lexoni të plotë postimin e saj:

Kërkesa dhe vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiq, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues.

Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë  që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak.

Nuk është se kemi pasur ndonjë ëndërr që sistemi i drejtësisë do të çlirohet pa reformën në drejtësi por ama të ndodhë edhe kjo që ndodhi sot është e papranueshme dhe diçka që do të ngelet në historinë moderne të Kosovës.

Në vend se institucionet e drejtësisë të mbronin rendin kushtetues e qytetarët, njësoj sikur po angazhohet policia edhe fizikisht në veriun e vendit tonë, këta prej zyrave të tyre marrin vendime aq të dëmshme e të cilat përveç tjerash janë inkurajim për bandat kriminale e terroriste në veriun e vendit tonë. /Telegrafi/