Telegrafi

Lirim Kastrati nuk e mendon largimin nga Kosova: Respektoj vendimet e trajnerit – duani më shumë lojtarët

Lirimi Kastrati është shprehur i zhgënjyer me humbjen e Kosovës ndaj Sllovenisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja jonë humbi 1-0 në shtëpi, derisa ndeshja e radhës do të jetë ajo ndaj Greqisë që zhvillohet të mërkurën e javës së ardhshme.

Kastrati ka thënë pas ndeshjes se ai nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga Kosova dhe respekton vendimet e trajnerit.

Lexo po ashtu Challandes nuk mendon se bëri zëvendësime të vonshme - i del në mbrojtje formacionit të tij

“Normal si çdo lojtar kam dëshirë të luaj gjithmonë, por kjo është detyra e trajnerit dhe vendimi i tij se kush mbetet në formacion. Jemi të zhgënjyer si ne si ata që startuan. Të gjithë mbajmë fajin. Kur fitojmë jemi bashkë, kur humbim bashkë. Duhet harruar humbja dhe të ecim përpara”, ka thënë reprezentuesi i Kosovës.

“Nuk do të largohem nga grumbullimi. Jam këtu për kombëtaren dhe kemi ndeshjen e radhës, pastaj largohemi së bashku”.

“Normal, performanca nuk ishte e mirë. Kemi disa lojë që kemi luajtur keq dhe kemi fituar. Tashmë luajmë mirë, por nuk shënojmë. Secila ekip ka fazën e keqe. Ne jemi aty. Gjashtë humbje radhazi. Ata që shkruajnë komente, ju lus ta duajeni kombëtaren edhe kur humbim, jo vetëm në fitore. Nuk janë komente të mira, na bëjnë keq. I shohim të gjithë”.

“Nuk kam luajtur asnjëherë, por trajneri ka vendimin dhe unë e nderoj. Luaj edhe portier nëse duhet. Vetëm marr urdhrat dhe tentoj t’i zbatoj”, ka përfunduar Kastrati. /Telegrafi/