Site icon Telegrafi

Lippi: Juve nuk po luan me gjithë potencialin

Marcello Lippi (Foto: Masashi Hara/Getty Images/Telegrafi)

Marcello Lippi beson se Interi e ka bë më interesant kampionatin italian këtë sezon, mirëpo pret që Maurizio Sarri ta drejtojë Juventusin drejt një titulli të radhës.

Dy klubet rivale vazhdojnë të jenë në garë për titullin e Serie A, ndërsa pas 13 javëve të zhvilluara, i ndan vetëm një pikë. Lippi, i cili ka qenë trajner i të dyja klubeve, e pëlqen një skenar të tillë dhe pret që gara të jetë e ngushtë deri në fund.

“Është gjë e bukur, sepse e ka bërë fillimin e sezonit më interesant. Mendoj se mund të zgjasë deri në fund. Sezoni do të jetë shumë më i hapur në krahasim me vitet e mëparshme dhe kjo është diçka shumë e mirë për futbollin italian”.

“Në Itali, Juventusi mbetet akoma skuadra e pamposhtur dhe tashmë është kualifikuar në fazat e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve dhe është lider në ligë. Ndërsa janë duke e shfrytëzuar vetëm 60-70 për qind të potencialit të tyre”.

“Kundërshtarët e Juves duhet të shqetësohen. Porsa Bianconerët t’i përmirësojnë paraqitjet e tyre, atëherë nuk do të jetë për çfarë të flitet këtë vit”, ka deklaruar Lippi për Corriere dello Sport. /Telegrafi/

Exit mobile version