Site icon Telegrafi

Lipjan, bie puna në hotele

Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për tre mujorin e katërt të vitit të kaluar. Në këto statistika tregohet se numër më i madh i vizitorëve në hotele është në Prishtinë, deri sa keq nuk kanë mbetur as Peja e Prizreni. Në këto statistika të ASK-së nuk është përfshirë Lipjani, i cili tradicionalisht ka pasur vizitorë të shumtë nëpër hotele, sidomos për “pushime” ditore.

Zyrtarët e ASK-së kanë treguar se pjesë e kësaj ankete janë 105 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës, pjesa më e madhe e tyre gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Ferizajt, etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi është 10.48%.

“Numri i vizitorëve në vitin 2014 është rritur për 2.42%, në raport me vitin 2013, kurse netëqëndrimet e vizitorëve vendorë janë rritur për 0.74%. Rritje ka te vizitorët e jashtëm për 22.44%, kurse netëqëndrimet e vizitorëve të jashtëm janë rritur për 21.68%, në raport me vitin 2013”, thekson raporti.

Hotelet në Kosovës në shumicën e rasteve shfrytëzohen nga vizitorët e huaj. “Në TM4 2014 numri i vizitorëve është 24 664, prej tyre 40.98% janë vizitorë vendorë dhe 59.02 % janë vizitorë të jashtëm. Kurse, numri i bujtjeve në TM4 2014 është 38 276, prej tyre 35.42% janë nga vendorët dhe 64.58 % janë nga të huajt”.

Me numrin më të madh të vizitorëve, gjatë vitit 2014, prin kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, me gjithsej 77 167 vizitorë, patasj Peja radhitet e dyta me 11 534 vizitorë, dhe Prizreni radhitet i treti me 8 615 vizitorë.

“Në TM4 2014, numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka rajoni i Prishtinës me 17 260 vizitorë dhe 26 667 netëqëndrime. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në rajonin e Prishtinës, Pejës etj. Kurse, sa u përket shteteve se prej nga vijnë, numri më i madh i tyre është nga Shqipëria, SHBA-ja dhe Gjermania”. /Telegrafi/

Exit mobile version