Telegrafi

“Link”- revistë e re për arte audio-vizuale në Maqedoni

Nga shtypi doli numri i parë i revistës për arte audiovizuale “Link”, botim i Universitetit për arte audiovizuale Akademia Evropiane e filmit, teatrit dhe vallëzimit – Shkup, si pjesë e projekteve dhe aktiviteteve ndërkombëtare që organizon me rastin e dhjetë vjetorit të themelimit.

Kryeredaktori i revistës, Aleksandar Trajkovski thekson se idea e revistës është që nga aspekti shkencor të merret me çështje dhe probleme që dalin nga fusha e artit të filmit, teatrit, muzikës dhe vallëzimit.

“Me këtë revistë plotësohet një zbrazëtirë në kulturë, shkencë dhe arsim në Republikën e Maqedonisë dhe hapet fushë për vlerësim analitik, krahasues, kritik, historik dhe teorik, me çka në fakt do të artikulohet një reflektim shkencor në fushat që përfaqësojnë mjet të studimit në programet e Universitetit”, tha Trajkovski.

Redaksia e revistës është në përbërje ndërkombëtare nga shkencëtarë nga SHBA, Sllovakia, Franca, Gjermania, Bullgaria, Rumania dhe Maqedoni./Telegrafi/