Site icon Telegrafi

Linja nënujore e interkonjeksionit Shqipëri-Itali, nënshkruhet marrëveshja në Abu Dhabi

Në kuadër të Javës së Qëndrueshmërisë në Abu Dhabi, kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftuan nënshkrimin e një marrëveshjeje strategjike për ndërlidhjen energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.

Marrëveshja, e cila përfshin edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, synon krijimin e një infrastrukture që do të mundësojë transportimin e energjisë së rinovueshme nga Shqipëria drejt Italisë përmes një kablli nënujor në detin Adriatik.

“Jam shumë krenare për këtë projekt, i cili është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes tre vendeve tona,” u shpreh Meloni gjatë fjalës së saj.

Lexo po ashtu Rama surprizon Melonin për ditëlindje në Abu Dhabi

“Ky është një hap i madh për përmirësimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe për forcimin e lidhjeve mes rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës,” shtoi kryeministrja italiane.

Meloni vlerësoi lidhjet historike mes Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur projekte të mëparshme si linja elektrike prej 420 km që lidh Italinë me Malin e Zi dhe rajonin ballkanik. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre bashkëpunimeve për përfitime të ndërsjella.

“Falë kësaj marrëveshjeje, energjia e rinovueshme e prodhuar në Shqipëri do të luajë një rol të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave tona për tranzicionin energjetik,” theksoi ajo, duke shtuar se ky projekt do të përfshijë jo vetëm qeveritë, por edhe sektorin privat dhe operatorët e rrjetit.

Në fjalën e mbajtur në samitin global “Abu Dhabi Sustainability Week”, Rama u shpreh se kjo marrëveshje është një instrument shumë, shumë i rëndësishëm jo vetëm për transmetimin e energjisë së ripërtëritshme nga Shqipëria në Itali, por po kështu për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100% energji të ripërtëritshme.

“Ky hap shumë i rëndësishëm për rajonin dhe Europën gjithashtu nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin domethënës me Emiratet e Bashkuara Arabe”, vlerësoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se partneriteti i Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin energjetik është shumë, shumë i rëndësishëm për rajonin.

“Partneriteti i Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin energjetik është shumë, shumë i rëndësishëm për rajonin, një rajon ku shumë luftëra, konflikte, gjakderdhje, keqkuptime i kanë dhënë formë të shkuarës sonë dhe ku bashkëpunimi dhe dëshira e përbashkët për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane duhet mbështetur me nisma dhe hapa konkrete për të kapërcyer të shkuarën”, shtoi Rama.

Në këtë drejtim, Rama vlerësoi bashkëpunimin që ka nisur midis kompanisë shtetërore të Prodhimit të Energjisë, KESH në Shqipëri dhe Masdari të Emirateve Arabe që synon të zhvillojë deri në 3 gigavat prodhim të energjisë të ripërtëritshme për të pasur një rrjet të organizuara në tregun europian, duke nisur nga rajoni.

“Është një kontribut shumë i rëndësishëm jo vetëm për energjinë por për paqen dhe bashkëpunimin në rajon në mënyrë të tillë që të gjithë ne duhet të arrijmë duke u bashkuara me familjen e bashkuar europiane. Dua po ashtu t’i shpreh mirënjohjen time kryeministres së Italisë Giorgia Meloni që është këtu për të marrë pjesë në këtë javë të qëndrueshmërisë si dhe për ta bekuar këtë marrëveshje shumë të rëndësishme mes Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë”, tha Rama.

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe Kryeministrja Meloni.

Projekti synon jo vetëm përmirësimin e ndërlidhjes energjetike mes dy brigjeve të Adriatikut, por gjithashtu hap rrugën për një bashkëpunim të thelluar mes Italisë, Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në sektorin e energjisë së gjelbër. /Telegrafi/

Exit mobile version