Reprezentuesi kosovar Lindon Emërllahu do të largohet nga Ballkani për ta vazhduar karrierën në Rumani.
Mesfushori me tipare defanzive do të bëhet pjesë e Clujit dhe do të prezantohet si lojtar i tyre sapo t’i përfundojë testet mjekësore.
Emërllahu tashmë ka marrë rrugë për në Rumani për t’iu bashkuar ekipit të tij të ri.
Është bërë e ditur se Cluji do të paguajë rreth 800 mijë euro për të siguruar nënshkrimin me Emërllahun, teksa Ballkani do ta ruajë 20 për qind të kartonit të tij për shitjen e radhës.
Kujtojmë se Emërllahu kishte kontratë me Ballkanin deri në vitin 2026 dhe paraqitjet e tij të mira kishin bërë që ai të merrte ftesën edhe nga kombëtarja e Kosovës.
Debutimin me ‘Dardanët’ ai e ka bërë në shtator të vitit 2022 dhe deri më tani numëron gjashtë paraqitje.
Emërllahu po largohet nga Ballkani me pesë trofe të fituar, tre tituj kampioni, një kupë dhe një Superkupë të Kosovës. /Telegrafi/