Site icon Telegrafi

Lindja e xhonturqve dhe roli i shqiptarëve

Në fillim të prillit 1896, raportet diplomatike britanike nga Stambolli flitnin për shenja të pakënaqësisë në shoqërinë osmane, si shprehje kundër regjimit autokratik të sulltanit. ‘Nga fshatarët e deri në Pallat’ dhe brenda të gjitha klasave, përfshirë ushtrinë dhe marinën, pakënaqësia ishte pothuaj publike. Ekzistonin disa organizata që vepronin në favor të shpërndarjes së agjitacionit për një qeverisje liberale, por një organizatë e rëndësishme qe formuar tri vite pas këtyre raporteve diplomatike britanike.

Kadetët ushtarakë i tërhiqte mendimi politik i Perëndimit dhe në mënyrë sekrete debatonin për mundësinë e aplikimit të tij në vendin e tyre. Në maj të vitit 1889, një grup prej katër studentëve të Kolegjit Mjekësor Ushtarak në Stamboll, në mesin e tyre Ibrahim Temo (1865-1945), një shqiptar nga Maqedonia, ishin mbledhur për të formuar një organizatë klandestine me qëllim të heqjes së sulltanit nga froni. Organizata ishte emëruar Ittihat Osmanli Cemiyeti (Shoqëria Osmane për Unitet).

Brenda një kohe të shkurtër, grupi u zgjerua në mënyrë rapide me anëtarë nga shkollat tjera, nga institucionet burokratike dhe ushtarake. Anëtarët u organizuan në qeliza sekrete dhe u identifikuan me numra. Ibrahim Temo mori numrin 1/1, që d.m.th. ishte anëtari i parë themelues ose ‘xhonturku numër një’ siç u quajt më vonë dhe që do të luante rol udhëheqës në këtë organizatë.

Kjo organizatë, më vonë, nga shtypi evropian u emërua me termin xhonturqit (turqit e rinj) dhe kishte për qëllim që ta kthente kushtetutën e abroguar, centralizimin e pushtetit dhe unifikimin e Perandorisë nën nacionalizmin e fuqishëm osman. Kjo ishte e kundërta e asaj që kërkonin shumica e shqiptarëve. Premtimi për shkollat në gjuhën shqipe ishte i vetmi element tërheqës që xhonturqit ofronin për shqiptarët. Megjithatë, shumë personalitete shqiptare që në të kaluarën kishin shprehur tendenca nacionaliste, dhe shumë oficerë ushtarakë, e shihnin organizatën xhonturke si mjet për të shtyrë përpara çështjen e tyre nacionale dhe kjo ishte arsyeja që iu bashkuan pa ndonjë hezitim të madh.

Ibrahim Temo, për t’i ikur arrestimit, u detyrua të shkonte në Rumani, ku punoi së bashku me Nikolla Naçon për të zgjeruar organizatën me anëtarë shqiptarë, të cilët ishin aktivë në organizatat e tyre sekrete nacionaliste. Temo ia doli ta rekrutonte Nexhip Dragën, anëtar i një familjeje shqiptare me influencë të madhe në Mitrovicë. Komitetet lokale të xhonturqve u shumuan shpejtë anembanë Kosovës, në mesin e popullatës dhe në garnizonet ushtarake dhe deri më 1908 u dominuan nga shqiptarët. Siç ka shënuar Noel Malcolm, ‘Kosova duhej të ishte mburojë kundër xhonturqve’, por në realitet shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës luajtën ‘rol vendimtar për t’i sjell ata [xhonturqit] në pushtet’.

Shqiptarët po ashtu luajtën një rol të rëndësishëm në mesin e organizatave xhonturke në ekzil. Ismail bej Qemali ishte në mesin e anëtarëve kryesor në kongresin që u mbajt në Paris më 1902 e që u organizua nga princi Sabahudin, me qëllim të bashkimit të fraksioneve të ndryshme të xhonturqve. Ismail beu propozoi që të kërkohej nga Fuqitë evropiane që ato të intervenonin, por shumica e xhonturqve nuk u pajtuan. Xhonturqit mendonin se Fuqitë e Mëdha ishin armiku më i madh i osmanëve dhe se do të ishte turp që të kërkohej ndihmë prej tyre. Ata argumentonin se Ismail beu po ua hapte derën vendeve evropiane imperialiste, që kishin tendenca për të okupuar territore të Perandorisë.

Duke bërë këso propozime, Ismail beu dëshironte që me ndihmën e Fuqive ta siguronte ardhmërinë e Shqipërisë. Ai nuk e braktisi kauzën shqiptare dhe asnjëherë nuk i përkrahu tërësisht xhonturqit. Nën këshillat e Ismail beut, Xhemil Vlora vepronte në Shqipërinë e mesme, kurse në Paris u ndihmoi nacionalistëve shqiptarë që udhëhiqeshin nga Jup Kastrati, që ta themelonin organizatën e tyre.

Botimet shqip në Evropë, të cilat përkraheshin nga Ismail beu, haptas promovonin autonomi ose pavarësi për Shqipërinë. Çështja shqiptare ishte aq temë e rëndësishme në mesin e xhonturqve në ekzil, saqë Porta i shfrytëzoi këto fakte që të deklaronte se Dahmat Mahmut Pasha dhe bijtë e tij po e përkrahnin haptas lëvizjen nacionaliste shqiptare. Kjo e detyroi Dahmat Pashën që ta përgënjeshtronte këtë deklaratë dhe të shprehej se nuk pajtohej me idenë për Shqipërinë e pavarur ose autonome.

Në atë kohë u bë e qartë se Ismail beu nuk ishte në pozitë që t’i udhëhiqte shqiptarët në ekzil, pasi që xhonturqit, por edhe nacionalistët shqiptarë, e konsideronin si pro-grek dhe pro-britanik. Ai shihej si favorizues i një marrëveshjeje diplomatike e cila do të çonte në autonominë e Shqipërisë, por që ishte proces i ngadalshëm dhe, si i tillë, refuzohej nga shumica e atyre që e përkrahnin luftën guerile kundër Portës. Edhe xhonturqit grekë të Maqedonisë dhe pjesëve tjera të Perandorisë Osmane, ishin kundër Ismail beut, pasi që atyre nuk u pëlqente ideja e intervenimit të jashtëm dhe pavarësia e Shqipërisë. Dervish Hima, një prijës nacionalist dhe delegat në Kongresin e Parisit, ishte faktor më i madh, por që Porta gabimisht e kishte cilësuar si vartës i Ismail beut.

Në lidhje më ndihmën nga jashtë, princi Sabahudin dhe Ismail bej Qemali vendosën që të përfshinin Qeverinë britanike në planet e tyre për ta hequr sulltanin nga froni. Ismail beu veproi duke shfrytëzuar eksperiencën dhe lidhjet që i kishte themeluar gjatë karrierës së tij me diplomatët britanikë dhe Foreign Office-in. Britanikët mund të kishin arsye që ta ndihmonin një puç. Foreign Office-i po e humbte influencën që dikur e ushtronte pa pengesa ndaj Portës, kurse këtë rol tashti po e merrte Gjermania. Sulltani ia kishte dhënë Gjermanisë koncesionet e hekurudhës së Bagdadit, kurse britanikët gjatë vitit 1903 dhe 1904 kishin bërë gjithçka për ta bllokuar këtë skemë.

Ismail bej Qemali tentoi që ta siguronte përkrahjen britanike dhe të sillte ndryshime radikale në sistemin osman të qeverisjes, por kjo përfundoi pa sukses pasi britanikët refuzuan që të përfshiheshin në këtë çështje. Dështimi i organizimit të grushtshtetit ndikoi që autoriteti i Sebahudinit dhe Ismail beut të venitej në masë të madhe në mesin e përkrahësve të tyre. Me siguri kjo ka qenë arsyeja pse Ismail beu vendosi që të distancohej nga xhonturqit dhe të tregonte më shumë konsideratë për të ardhmen e Shqipërisë.

Kongresi i Parisit (1902) tregoi se xhonturqit dhe nacionalistët shqiptarë në ekzil ishin më shumë organizata intelektuale sesa politike. Ata nuk kishin themeluar lidhje të forta me organizatat dhe popullin brenda territorit të Perandorisë. Revolucioni po tharmohej në Maqedoni, kurse xhonturqit dhe nacionalistët shqiptarë në ekzil ishin jashtë ngjarjeve dhe situatës reale në terren. Por, shqiptarët me tendenca nacionaliste, sikur ata me ndjenja osmane, së bashku me oficerët e ndryshëm të ushtrisë të cilët iu bashkuan xhonturqëve në Maqedoni dhe Kosovë, ishin në gjendje më të mirë për ta ndryshuar situatën. /Telegrafi/

Exit mobile version