Telegrafi

Lindja e Mesme po luan me ruletë derisa të gjithë po bëjnë baste për kohën

Keynote speaker Kim Ghattas, addressing The American University of Beirut's Special Evening and Dinner to Launch The 150 for 150 Scholarship Initiative and to Honor President Peter F. Dorman, The Temple of Dendur in the Sackler Wing of the Metropolitan Museum of Art, 19 March 2015.

Nga: Kim Ghattas / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Me ditën e zgjedhjeve në ShBA në më pak se dy muaj larg, lufta njëmbëdhjetë muaj e gjatë në Gazë tani është përshtatur me orën e garës presidenciale amerikane. Duken të zymta shanset për një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh.

Në fakt, shanset kurrë nuk ishin aq të mira, jo siç zyrtarët e ShBA-së i paraqisnin në muajt e fundit kur flisnin folur për një marrëveshje që ishte 90 për qind e kryer ose gati para finishit. Kur presidenti Joe Biden dhjetë ditë më parë tha se “jemi në prag të arritjes së një marrëveshjeje”, ai u kundërshtua menjëherë publikisht nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e bëri të qartë se asnjë marrëveshje nuk është arritur: “Fatkeqësisht, nuk është afër”.

Administrata e Bidenit ishte e matur kur në gusht nisi një stuhi bisedimesh, kjo nga ndjesia e urgjencës pasi Izraeli goditi Bejrutin dhe Teheranin, duke vrarë udhëheqësit kryesorë të Hizbollahut dhe Hamasit, ndërsa Irani dhe Hizbollahu u zotuan për hakmarrje. Teherani, i etur për të shmangur përfshirjen në një luftë më të gjerë, mbështeti negociatat e rinovuara si një justifikim për t’u zmbrapsur – tash për tash. Ka thënë se nuk do të bëjë asgjë për t’i minuar ato.

Por, duke i kufizuar bisedimet e rinovuara të armëpushimit si një moment gjithçka ose asgjë, Shtëpia e Bardhë gjithashtu vendosi pritshmëri aq të larta saqë ushtria amerikane tani po përgatitet për pasojat e një kolapsi të mundshëm të negociatave. Të gjithë protagonistët, nga Gaza në Izrael e në Uashington dhe Teheran, po ngrehin në drejtime të ndryshme, duke peshuar veprimet në lidhje me atë se si mund të ndikojë kjo në rezultatin në ShBA në këtë nëntor.

Hakmarrja iraniane ende mund të materializohet, ndonëse Teherani është i prirë të mos bëjë asgjë që do të ndihmonte në kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, përgjigja e Hizbollahut në muajin e kaluar ishte, siç pritej, koreografike, telegrafike dhe e kufizuar. Që atëherë ka rënë intensiteti i përleshjeve në kufirin Liban-Izrael. Hizbollahu duket pragmatik dhe i përmbajtur, ndonëse disi pa kontroll.

Kjo është loja e rrezikshme e ruletit të Lindjes së Mesme. Sa herë që Izraeli kalon vijat e kuqe të kampit iranian, me sulme të guximshme ose vrasje, dhe përballet me zjarr të kufizuar, ndihet i guximshëm të provojë përsëri dhe të shkojë më tej. Një ditë do të shkojë shumë larg.

Bideni dhe ekipi i tij kanë qenë tepër të përqendruar se si të arrijnë një armëpushim, duke shpresuar për një sukses të politikës së jashtme në Lindjen e Mesme përpara se të largohet nga detyra. Duke folur për FT të shtunën, shefi i CIA-s, Bill Burns, ka thënë se administrata planifikon një propozim përfundimtar për të thyer bllokimin. Por, tashmë, kjo vihet në dyshim.

Edhe pse Bideni nuk kandidon për rizgjedhje dhe kështu pritej të pengohej më pak nga konsideratat politike, ai është ngurrues për të ushtruar presion real mbi Netanyahun nga frika se mund të ndikojë në shanset e vogla të Kamala Harrisit për të fituar. Shanset e saj nuk do të përmirësohen nëse zjarri rajonal papritmas ndizet nga vrasja e radhës e shënjestruar nga Izraeli ose nga viktimat nga një raketë e Hizbollahut.

Ndërkohë, Trumpi i ka bërë thirrje Izraelit “të përfundojë” luftën. Ai preferon të mos e trashëgojë rrëmujë në Lindjen e Mesme. Por, ka pasur gjithashtu raportime – të mohuara më vonë nga ish-presidenti dhe zyra e kryeministrit izraelit – se ai e ka këshilluar Netanyahun të mos bëjë marrëveshje, që nga kjo të mos përfitojnë demokratët.

Netanyahu nuk ka nevojë për këshillën e Trumpit se si të minojë shanset e Harrisit. Administrata Biden vazhdon ta mbajë Hamasin përgjegjës për ngecjet në bisedime, por familjet e pengjeve izraelite ia kanë lënë fajin kryeministrit izraelit. Ata e kanë akuzuar atë se ka bërë politikë me jetën e më të dashurve të tyre për të qëndruar në pushtet. Zemërimi i tyre u rrit vetëm pasi Hamasi ekzekutoi gjashtë pengje dhjetë ditë më parë, duke përfshirë një të ri amerikano-izraelit. Pasi u sigurua se lufta zgjati gjatë vitit të Bidenit në detyrë, Netanyahu tani duket se e ruan për Trumpin dhuratën e marrëveshjes së pengjeve.

Ndërkohë, Hamasi, ndonëse i pakësuar dhe i degraduar, ende është në këmbë. Mbetet pa kompromis, ende duke shpresuar se mund të tërheq Iranin dhe Hizbollahun në përleshje dhe të ndezë rajonin.

Të gjithë po blejnë kohë. Por, e vërteta është se të gjithë janë duke luajtur ruletë, duke vënë baste se si mund të kontrollojnë rezultatin. Dy muaj nuk janë asgjë në një garë presidenciale në ShBA. Por, paraqet ndryshim midis jetës dhe vdekjes për civilët në Gaza, në Libanin jugor dhe për pengjet izraelite. /Telegrafi/