Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas takimit me presidentin Hashim Thaçi tha se ka kërkuar nga presidenti që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës pikë për pikë, e që në situatën në të cilën ndodhet Kosova është shumë e qartë.
Limaj tha se presidenti duke shfrytëzuar Kushtetutën duhet kujdesshëm të shikojë mundësitë për të shmangur zgjedhjet.
“Ajo çfarë ne besojmë është në situatën në të cilën jemi, duke marrë parasysh edhe qëndrimin e grupeve politike tjera, Nisma beson që Presidenti duke shfrytëzuar Kushtetutën duhet kujdesshëm të shikojë mundësinë që të shmang zgjedhjet e parakohshme”, tha ai.
Sipas tij, si drejtues politik, si deputet të Kuvendit të Kosovës duhet të ruajnë kompetencën e secilit institucion, raporton Telegrafi.
“Në këto ditët e kaluara ka pasur tendencë në uzurpimin e kompetencave apo në përzierjen e kompetencave të parlamentit të Kosovës. Presidenca dhe qeveria duhet të kuptojnë që Parlamenti i Kosovës është institucioni më i lartë dhe askush nuk mund të uzurpojë ose të tentojë të vendoset mbi Parlamentin e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, zemra e Kushtetutës dhe institucioni më i lartë është Parlamenti i Kosovës.
“Askush dhe për asgjë nuk mund të uzurpojë kompetencat e Parlamentit të Kosovës. Të gjithë si deputet[, qytetarë e drejtues politik duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë asnjë institucion tjetër të mbivendoset mbi parlamentin sepse do të futeshim në një krizë të thellë ose do të prishnim gjithë sistemin tonë parlamentar”, tha ndër të tjera Limaj.
Sipas tij, në asnjë rast deri më tani për sa është Kosova Republikë e pavarur parlamentare asnjëherë presidenti nuk e ka shpërndarë Kuvendin, por e ka shpërndarë shumica e deputetëve të Kuvendit.
“Presidenti i Republikës nuk ka hapësirë me shpërnda Kuvendin e Kosovës pa pas vullnetin e shumicës s[ deputetëve”, tha Limaj.
Sipas tij, është rrezik nëse i jepet presidentit kjo kompetencë, është shkelje e Kushtetutës.
“Nuk jemi Republikë presidenciale por parlamentare”, tha ai. /Telegrafi/