Site icon Telegrafi

Limaj: Shumë shpejt do t’i japim zgjidhje demarkacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, thotë se shumë shpejt do t’i japin zgjidhje demarkacionit me Malin e Zi, si kushti i vetëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Limaj tha se është Kuvendi i Kosovës ai që do ta thotë fjalën e fundit për këtë çështje, ani pse marrëveshja aktuale nuk e ka shumicën në Parlament.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Limaj e quan krejtësisht të padrejtë dhe të panevojshëm vënien e këtij kushti për Kosovën, duke lënë qytetarët e saj të izoluar.

Në një intervistë për KosovaPress, Limaj thekson se brenda një kohe të shkurtër do t’i japin zgjidhje kësaj çështje.

“Ne duhet t’i kryejmë detyrat tona. Sikurse thash demarkacioni do të marrë epilogun e tij shumë shpejt nga Kuvendi i Kosovës. Është Kuvendi që vendos për demarkacionin dhe besoj se do ta marrë epilogun dhe pastaj ne do të vazhdojmë t’i kryejmë detyrat tona sipas agjendës që kemi…Por varet, Parlamenti i Kosovës do të vendosë, të shohim si të vendosë Parlamenti ashtu do të jetë, besoj ju e dini që ky variant i demarkacionit nuk e ka shumicën e Parlamentit, a do ta ketë a jo, do ta shohim. E rëndësishme është që ne do t’i japim epilog ose përgjigje këtij demarkacioni, besoj Parlamenti i Kosovës do ta thotë fjalën e vet”, tha Limaj.

Limaj thotë se Kosova ka mbetur mbrapa në procesin e integrimit duke ia vënë një kusht të padrejtë, absurd, sepse një të tillë nuk e ka asnjë vend tjetër.

Madje, ai përmend edhe kufirin ende të hapur mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, por të cilat kanë avancuar drejt integrimit.

Limaj në këtë intervistë flet edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë në procesin e integrimit dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Sipas tij, Kosova mund ta shfrytëzoj përvojën e shtetit shqiptar në rrugën e integrimit.  /KP/

Exit mobile version