Site icon Telegrafi

Limaj në takim me këshilltarin e Merkelit: E vlerësojmë lart angazhimin e kancelares në procesin e dialogut

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka njoftuar se gjatë vizitës që është duke e zhvilluar në Berlin, ka takuar këshilltarin e kancelares Merkel, Matthias Lüttenberg me të cilin kanë biseduar për temat aktuale në vend, me theks të veçantë dialogun Kosovë – Serbi dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Limaj ka shkruar se vlerësojnë lart angazhimin e kancelares në procesin e dialogut, sidomos angazhimin e saj dhe të presidentit francez, Macron, pas Samitit të Berlinit dhe atij të Parisit në korrik.

Ai ka thënë se në takim me Lüttenberg, ka përsëritur kërkesën e Kosovës që bota e qytetëruar të mos e tolerojë Serbinë t’i mohojë krimet e kryera në Kosovë.

“Sot në Berlin kam zhvilluar një takim të frytshëm në zyrën e Kancelares gjermane, me këshilltarin e znj. Merkel, Matthias Lüttenberg. Biseduam për temat aktuale në vend, me theks të veçantë dialogun Kosovë- Serbi dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ne vlerësojmë lart angazhimin e kancelares në procesin e dialogut, sidomos angazhimin e saj dhe të presidenti francez, Macron, pas Samitit të Berlinit dhe atij të Parisit në korrik.

Si në procesin e dialogut ashtu edhe të liberalizimit të vizave besojmë se me një rol të shtuar të Qeverisë gjermane këto dy procese do të marrin epilog pozitiv për qytetarët e Kosovës.

Në këtë takim, i cili ishte konstruktiv, kam përsëritur kërkesën e Kosovës që bota e qytetëruar të mos e tolerojë Serbinë t’i mohojë krimet e kryera në Kosovë. Z. Lüttenberg e falënderova për ndihmën e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë për Kosovën në të gjitha etapat”, ka shkruar në Facebook, Fatmir Limaj./Telegrafi/

Exit mobile version