Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka deklaruar se Kurti do të mbahet mend si një politikan që brenda ditës mashtron, gënjen, e ndryshon qëndrimet.
Sipas tij, Kurti në deklarimin e tij u munda të mbulojë gënjeshtrën.
“Albin Kurti vazhdon me konferencën e radhës skandaloze, që nga dukja, serioziteti i temës e deri te qëndrimi i kryeministrit. Ai do të mbahet mend si një politikan që brenda ditës mashtron, gënjen, ndryshon qëndrimet dhe premtimet me të cilat ua ka marrë votën qytetarëve. Në konferencën e sotme gënjeshtrën e sikletin ai u mundua ta mbulojë me disa parulla as mish as peshk. Kaq për sonte. Për më shumë rreth kësaj teme, në ditët në vijim”, ka shkruar Limaj.
Ndërkaq, më herët pati reagime edhe nga PDK dhe AAK dhe PSD
Veseli ka thënë se Kurti duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët.
Ndërkaq Haradinaj e ka quajtur Kurtin mashtruar, duke thënë se me veprimin e fundit, kryeministri ka nisur kthimin e Serbisë në Kosovë.
Molliqaj ka thënë se për të ardhur në pushtet, Kurti dhe VV-ja e zhveshën vetën nga çdo parim e projekt politik, duke shtuar më tej se ata hoqën dorë nga çdo kauzë mbi të cilën u ndërtuan e nga çdo premtim madhor që e kishin bërë./Telegrafi/