Andi Lila e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij të Pas Janina.
Mbrojtësi shqiptar do të largohet këtë verë nga ekipi grek pas plot 6 vitesh, teksa ditën e sotme ai ka qenë protagonist te kjo skuadër në miqësoren e fituar 2-1 ndaj ekipit të Tylkratis.
Lila luajti si titullar në këtë ndeshje, por në krah mbante edhe shiritin e kapitenit të skuadrës.
Janina e fitoi miqësoren me rezultatin 2-1, teksa 31-vjeçari nga Kavaja shënoi golin e dytë të ndeshjes për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij.
Lila devijoi saktë me kokë topin pas një goditje këndi duke e dërguar në rrjetë dhe tifozët shpërthyen në ovacione për një nga lojtarët më të mirë të Janinës në vitet e fundit.
Karriera e Andi Lilës pritet të vazhdojë në Premierligën e Azerbajxhanit, ndërsa mbetet për tu zbuluar emri i skuadrës dhe kohëzgjatja e kontratës së re të mbrojtësit.