Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj turin e vizitave të punës së tij nëpër komunat e Kosovës e ka nisur nga vendlindja e tij në Deçan. Likaj aty u prit nga i pari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
I pari i Arsimit u shpreh se duke parë situatën pandemike në vend ka gjasa që fillimi i vitit të ri në shtator të fillojë përmes mësimit në distancë.
Likaj tha se për të siguruar qasje për të gjithë nxënësit kanë ndarë 1 milionë euro për blerjen e pajisjeve teknologjike.
“Kanë bërë aq sa kanë mundur asgjë nuk ka të përkryer, ne jemi duke i evidentuar të metat e këtij procesi dhe brenda mundësive për ta përmirësuar gjendjen. Jemi duke punuar shumë për menaxhimin e situatës me COVID, jemi duke u përgatitur për planin B që nënkupton që ndoshta në shtator do të detyrohemi me fillua mësimin në distancë apo mësimin online dhe për këtë kemi bërë edhe plane konkrete… si ministri e Arsimit kemi ndarë një paketë rreth 1 milionë euro për blerjen e teknologjisë informative”, tha Likaj.
Ministri i Arsimit tha se prioritet kanë edhe gjithëpërfshirjen në arsimin parashkollor.
Kurse, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj u shpreh se si komunë synojnë të jenë shembull për shkollat tjerë në Kosovë.
Ai tha se ministri Likaj është i njoftuar mirë për nevojat e sistemit arsimor në Kosovë por veçanërisht në Deçan.
“Objektiv dhe synim i joni do të jetë që të jemi shembull në Kosovë dhe kjo në rast se shohin si proces edhe po ndodh. Kemi punuar shumë në infrastrukturë dhe jemi duke punuar edhe në segmente tjera po besojmë që prej këtij viti do të kemi në funksion garën që e kemi përcaktuar bashkë se cila shkollë do të dal më e mira, qoftë në cilësi, siguri, ambient”, tha ai.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj pas Deçanit një vizitë punë e ka vazhduar edhe në komunën e Gjakovës. /KP/