Me një shumicë dërrmuese prej 67% të votave, irlandezët anuluan amendamentin e 8 që e bënte të jashtëligjshëm abortin në vend, duke shënuar sipas grupeve pro abortit një nga arritjet më të mëdha për gratë në vend.
Me një pjesëmarrje rekord prej thuajse 65%, votuesit treguan qartë se Irlanda kishte nevojë për këtë ndryshim të shumë pritur, diçka që nga kryeministri Leo Varadkar u cilësua si një revolucion i heshtur.
“Populli foli dhe na tha se kemi nevojë për një kushtetutë moderne për një vend modern”, deklaroi kryeministri pasi fitorja dërrmuese e anës që ai mbështeti fuqishëm u bë e qartë.
Vota në favor të lejimit të abortit i hap rrugën parlamentit irlandez që të krijojë ligj për këtë ndryshim dhe të sjellë një regjim shumë më liberal. Aktualisht, aborti në Irlandë lejohet vetëm kur jeta e gruas është në rrezik, por jo në raste përdhunimi, incesti apo anormaliteteve fatale të fetusit.
Grupet anti-abort që kundërshtonin ndryshimin e kushtetutës pranuan humbjen, por thanë se nuk do të dorëzohen duke premtuar luftë në parlament dhe protesta nëse dhe kur klinikat e abortit të hapen në Irlandë. Ata e cilësuan referendumin një tragjedi me përmasa historike.