Site icon Telegrafi

Ligji i mediave, kërkohet transparencë nga Qeveria e Maqedonisë

Përmbajtja e propozim-ligjit për mediat ende nuk është publikuar në opinionin gjë që ka nxitur reagime të ndryshme nëse me zgjidhjen e ofruar janë përfshirë vërejtjet e shoqatave mediatike, por edhe të faktorëve të tjerë përfshirë edhe ata ndërkombëtarë, që shumë herë kanë dalë me kritika për gjendjen e mediave në Maqedoni.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e cila ka dorëzuar vërejtje të shumta mbi gjendjen në media, e që presin të jenë përfshirë në hartimin e Ligjit të ri, nuk kanë informacione mbi përmbajtjen e projektit të Qeverisë andaj edhe dyshojnë në gatishmërinë e Qeverisë për reformimin e kësaj sfere të rëndësishme.

“Prandaj dyshohet se e gjithë kjo e gjithë jo transparencë e procesit të miratimit të Ligjit fsheh në vete mungesën e vullnetit të vërtetë politik të Qeverisë për të bërë reforma serioze në sektorin e mediave. Unë, gjithashtu dyshoj se çështja e reformave të mediave mund të jetë edhe pjesë e pakos së madhe që do të negociohet mes partive në pushtet dhe opozitës, pra pakoja që do të jetë rreth çështjes së emrit dhe me siguri se opozita për ta mbështetur këtë, do të kërkojë edhe disa lëshime nga pushteti. Sigurisht se këtu do të jetë edhe çështja e mediave. Këtë kanë frikën ta thonë. Unë vlerësoj se nuk ka asgjë të keqe që këtë ta thonë, madje do të jetë e mirë që reformat në media të bëhen me një konsensus më të gjerë politik”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Vërejtjet kryesore të shoqatës që ai drejton kanë të bëjnë me të ardhmen e agjencisë së mediave, zgjedhjes së anëtarëve dhe aspekteve tjera të këtij organit që pritet të ketë rol të madh në mbikëqyrjes së punës së mediave. Çështja tjetër ka të bëjë me punën e transmetuesit publikë radio-difuzion, zgjedhjen e këshillit drejtues dhe të organeve tjera, që po ashtu duhet të jenë profesionist si dhe mënyrën e financimit jo përmes Qeverisë, por formave tjera përfshirë edhe taksën radio-difuzive.

Nga Qeveria e cila të enjten e kaluar ka kaluar në seancë propozim-ligjin thonë se ai garanton pavarësinë dhe rritjen e profesionalizmit në media.

“Qëllimi kryesor i këtij propozim-ligji është departizimi dhe profesionalizimi i transmetuesit publik dhe trupit rregullator-agjencisë së mediave. Ndryshimet që propozojmë kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së organeve të tyre drejtuese”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski duke siguruar opinionin se me zgjidhjet e propozuara, anëtarët e rinj që do të drejtojnë këto dy institucione do të jenë profesionistë dhe njerëz pa ngjyrime politike.

Detaje tjera nga Qeveria nuk janë publikuar, por siç bëhet e ditur, zgjidhja e hartuar ka të bëjë edhe çështje tjera që prekin interesin e mediave, si prodhimi vendor që ato duhet të kenë, reklamat, puna e operatorëve kabllor, e çështje tjera.

Drejtuesit e shoqatave joqeveritare, thonë se pa një qasje serioze, në veçanti në departizimin e Radio Televizionit Publik, nuk mund të flitet për reforma serioze.

“Ne e dimë se transmetuesi publik në dhjetë vitet e fundit më të vërtetë ishte makineri propagandistike e OBRM-PDUKM-së, pra e Qeverisë së kaluar. Gjatë kësaj periudhe, por edhe më parë, në asnjë moment nuk i ka përmbushur kriteret e një Radio Televizioni Publik. Që gjendja të ndryshohet duhet të ketë konsensus politik për të hequr dorë nga ndikimi politik, për të zgjedhur anëtarë profesionistë të këshillit, pra zgjedhjen e tyre ta bëjnë profesionistët dhe jo politika. Unë shpresoj që edhe financimi që tani bëhet nga Qeveria të jetë i përkohshëm, pasi financimi i pavarur dhe përmes taksës radio-difuzive rritë pavarësinë e këtij medium”, thotë aktivistja Biljana Bejkova.

Mediat dhe politizimi i tyre është pasqyruar në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare duke e radhitur Maqedoninë në grupin e vendeve me liri të kufizuar të shprehjes.

Exit mobile version