Një muaj e gjysmë nga miratimi i tretë i ligjit për përdorimin e gjuhëve, presidenti Ivanov nuk ka ndërmend të firmosë të njëjtin. Ai mbron qëndrimin se ligji është antikushtetues. Nga ana tjetër juristi Naser Zyberi thotë se në këtë rast vet presidenti Ivanov po shkel kushtetutën. Ziberi thotë ekzistojnë disa mënyra për shpalljen e ligjit në Gazetën Zyrtare.
“Por këtë mendim duhet ta jep Komisioni Juridiko-ligjvënës në Parlamentin e Maqedonisë sepse vetëm ai është kompetent që në këtë rast të bëj interpretimin e dispozitave ligjore. Në të kundërtën do të duhet që të pritet që të bien dakord apo të pajtohen që presidenti ta nënshkruaj ose të priten zgjedhjet e ardhshme, që të zgjidhet një person tjetër i cili do ta bëj nënshrkimin. Situata krejt e palakmueshme do të ishte edhe njëherë që Qeveria të propozoj që nga fillimi ligjin, që Parlamenti më pas ta miratoj”, deklaroi Naser Ziberi.
Kreu i ligjvënësit, Talat Xhaferi thotë se kompetencat e Kuvendit nuk mund t’i cenojë asnjë institucion tjetër dhe se pret që së shpejti ligji të hyjë në fuqi. Xhaferi thotë se publikimi i ligjit në Gazetën Zyrtare nuk do të presë presidentin e ri.
“Jo, jo, nuk mundet të mbetet për zgjedhjet e ardhshme. Gjithsesi se ka procedurë të caktuar, për të cilën duhet të kemi komunikim edhe me faktorin ndërkombëtar, të cilët duhet të jenë të informuar. Mendoj se për një kohë të shkurtër do të ketë zgjidhje definitive”, tha Talat Xhaferi.
Pas refuzimit për herë të parë të presidentit për të dekretuar ligjin, i njëjti u kthye në Kuvend ndërsa për të opozta kishte parashtruar mbi 35 mijë amendamente. Më 14 mars në një atmosferë të tensionuar mes deputetëve të OBRM-PDUKM-së konkretisht ish kryeministrit Gruevski dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për së treti herë me 64 vota “Për”, asnjë “Kundër” dhe asnjë të “Përmbajtur”./Alsat/