Telegrafi

Ligjet që do të ndryshohen për ta bërë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19

Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se përmes këtij Projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.

“Me vendimin e parë që është miratuar në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike nga COVID-19, qëllimi i të cilit është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Me këtë rast do të plotësohen dhe ndryshohen ligjet si në vijim: Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore; Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës; Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale; Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë; Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave; Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; dhe Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Qeveria miraton Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, i hap rrugë tërheqjes së 10 përqindëshit të kursimeve nga Trusti

Ky Ligj do të mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2021. Pas kësaj date të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19 parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. /Telegrafi/