Site icon Telegrafi

Ligj i ri për energjetikën, a do të ketë rritje të çmimit të rrymës në Maqedoni?

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i shoqëruar nga zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev, sot promovoi projekt-ligjin e ri për energjetikë, të cilin e miratoi qeveria dhe i cili gjatë këtyre ditëve do të dërgohet për miratim në Kuvend.

Ministri Bekteshi tha se ligji i ri për energjetikë është në interes të qytetarëve, pasi ofrohet zgjidhje evropiane, me qëllim furnizimit cilësor dhe të sigurt me energji. Ai tha se benefite do të kenë qytetarët, kompanitë dhe shteti, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Miratimi i këtij ligji kryesisht ka ndikim ekonomik, sepse shënon fundin e monopolit dhe dhënien e të drejtës së zgjedhjes konsumatorëve, që do të thotë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe familjet mund të zgjedhin furnizuesin e tyre me energji dhe gaz natyror sipas dëshirës së tyre. Do të kontribuojë në nxitjen e investimeve në sektorin e energjisë përmes një kornize të qëndrueshme ligjore, kemi propozuar Plan Vjetor për zvogëlimin e varfërisë energjetike, për familjet ekonomikisht të dobëta të cilët kanë nevojë tu jepet ndihmë më e madhe për të plotësuar nevojat për energji, siç janë punëtorët e falimentuar, pensionistët me të ardhura të ulëta dhe kategoritë e tjera”, tha Bekteshi.

Zv.kryeministri Angjushev vuri në dukje se miratimi i këtij ligji, i cili është me flamur evropian, zbatohen 5 direktivat dhe 3 rregullore evropiane dhe se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Me ligjin e ri për energjetikë, Ministria e Ekonomisë do të ketë nën kompetenca të saj shoqërinë aksionare për kryerjen e veprimtarive në fushën e gazifikimit MER që deri tani ishte nën kompetenca të qeverisë, MEPSO do të jetë nën Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa ELEM do të vazhdon të jetë nën autoritetin e qeverisë edhe më tej.

Exit mobile version