Liga Saudite tashmë ka ardhur me një strategji të re sa i përket transferimeve, vendim ky që mund të ketë një impakt për transferimin e Mohamed Salah në një të ardhme të afërt.
Liverpooli pritet të bëjë ndryshime të mëdha në verë duke marrë parasysh njoftimin e Jurgen Klopp për largim nga klubi në fund të sezonit.
Largimi i pashmangshëm i gjermanit ka bërë që e ardhmja e yjeve të Liverpoolit si Salah, Van Dijk dhe Alexander-Arnold të mbetet në dyshim, me treshen që kanë vetëm edhe 18 muaj të mbetur në kontratat e tyre.
E ardhmja e Salah veçanërisht ka shkaktuar frikë tek tifozët e klubit, pasi egjiptiani kishte marrë një ofertë në vlerë 150 milionë euro nga Al-Ittihadi verën e kaluar.
Ajo ofertë u refuzua menjëherë, por Liga Saudite nuk ka hequr dorë nga transferimi i tij dhe pritet të bëjnë një tjetër ofertë për 31-vjeçarin.
Sidoqoftë, The Athletic raporton se ndryshimi i strategjisë së transferimeve në Arabi, mund të ndikojë në vendimin e Salah.
Raporti shton se këtë verë klubet saudite do të fokusohen për të transferuar më shumë lojtarë që janë në rritje e sipër, apo që janë në kulmin e karrierës, dhe jo lojtarë që janë në përfundim të karrierës.
Natyrisht, Salah ende është në kulmin e formës së tij pasi ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar tetë asistime në 20 ndeshje të Ligës Premier këtë sezon.
Jo shumë kohë më parë, drejtori i futbollit të Ligës Saudite, Michael Emenalo, pati thënë se dera është e hapur për Salah që të transferohet në Arabi dhe se synimi i tyre është që lojtar si ai të vijnë në Lindjen e Mesme./Telegrafi/