Liga Arabe, të mërkurën, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërhyjë për të ndalur “krimet” izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, raportojnë mediat e huaja.
Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi urgjent në Kajro, Liga Arabe dënoi sulmet izraelite kundër besimtarëve brenda kompleksit Al-Aksa, përcjell Telegrafi.
“Këto qindra krime u përshkallëzuan në mënyrë të rrezikshme në ditët e kaluara të muajit të Ramazanit dhe çuan në lëndime dhe arrestime të besimtarëve, inkursione dhe përdhosje të qëllimshme të shenjtërisë së xhamisë Al-Aksa nga zyrtarë dhe kolonë ekstremistë izraelitë nën mbrojtjen e forcave okupuese”, citohet të jetë thënë në deklaratë.
Deklarata kundërshtoi “të gjitha format e shkeljeve izraelite të vendeve të shenjta islame dhe të krishtera, veçanërisht ato që synojnë ndryshimin e status quo-së historike dhe ligjore në xhaminë Al-Aksa”.
Siç thuhet më tej, Liga pan-arabe e konsideroi Izraelin përgjegjës për pasojat e masave të saj që pengojnë lirinë e adhurimit në vendet e shenjta islame dhe të krishtera në Jerusalem.
Ajo u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit, të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore, morale dhe humanitare për ndalimin e agresionit izraelit dhe sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare për popullin palestinez.
Takimi urgjent i së mërkurës u thirr nga Jordania, në koordinim me Egjiptin dhe Palestinën.
Tensioni u rrit në Bregun Perëndimor të pushtuar të mërkurën pasi policia izraelite arrestoi rreth 350 besimtarë nga brenda kompleksit të Xhamisë Al-Aksa.
Një grup palestinezësh u barrikaduan brenda sallës së lutjeve Al-Qibli në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa pasi kolonët hebrenj bënë thirrje për një bastisje në xhami.
Ata u përpoqën të pengonin hyrjen e policisë duke mbyllur dyert e saj.
Për myslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë të Islamit. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta. /Telegrafi/