Turqia duhet të krijojë “menjëherë” raporte me Qeverinë siriane, me qëllim që të përshpejtohen përpjekjet për arritjen e paqes, ka deklaruar kreu i partisë kryesore opozitare turke, duke bërë thirrje për ndryshimin e politikës radikale mbi luftën civile në Siri, që ka nisur tetë vjet më parë.
“Rruga ndërmjet Ankarasë dhe Damaskut është rruga më e shkurtër që çon në paqe”, tha Kemal Kilicdaroglu, lideri i Partisë Popullore Republikane (CHP).
Këto komente ai i bëri sot gjatë një konference për Sirinë që u mbajt në Stamboll. Përfaqësuesit e qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad nuk morën pjesë në këtë konferencë të organizuar nga partia e Kilicdaroglut, pasi Ministria e Jashtme turke ua refuzojë vizat, raporton Dpa.
Qeveria turke ka ndërprerë marrëdhëniet me Damaskun dhe mbështet opozitën siriane në luftën civile në Siri, që prej vitit 2011.
Komentet e Kilicdaroglut vijnë pasi më herët gjatë këtij muaji, në Ankara u mbajt në samit për Sirinë, ku liderët e Turqisë, Iranit dhe Rusisë sugjeruan se diskutimet për një Kushtetutë të re siriane do të nisin së shpejti – një hap ky, që nëse realizohet, shihet si qenësor për arritjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin sirian.
Turqia ka punuar me Rusinë dhe Iranin – dy shtetet që mbështesin Assadin – për të ulur tensionet në Siri, si pjesë e asaj që quhet procesi i Astanas.
Turqia deri më tani ka strehuar 3,6 milionë refugjatë sirianë. Krijimi i raporteve me Assadin, sipas Kilicdaroglut, do të ndihmonte në ndalimin e ndonjë vale të re të refugjatëve sirianë, por po ashtu do të ndihmonte në luftën kundër terrorizmit.