Telegrafi

Lideri luan si vendas ndaj Lirisë, Llapi favorit përballë KEK-ut

Skuadra e vetme pa humbje në elitën e futbollit kosovar mbetet Feronikeli.

Pas një starti jo të mirë, Feronikeli bëri ndryshime në shtabin teknik duke ardhur në krye të skuadrës Zekirija Ramadani.

Me trajnerin nga Shkupi, Nikli ka marrë tri fitore radhazi dhe ndodhet e vetme në krye të tabelës.

Pas gjashtë ndeshjeve në Superligë, Feronikeli mbetet skuadra e vetme pa humbje me katër fitore dhe dy barazime.

Drenicasit në javën e shtatë do të jenë nikoqir të Lirisë nga Prizreni që në ndeshjen e fundit pësuan në shtëpi nga Llapi.

Vendasit llogaritën favoritë për ta fituar këtë takim, por që prizrenasit dinë të befasojnë.

Në tri ndeshjet e edicionit të kaluar, Liria ka mposhtur dy herë Feronikelin dhe një ndeshje ka përfunduar pa fitues.

Ndeshja tjetër e ditës së shtunë do të zhvillohet në qytetin e Podujevës.

Skuadra tjetër pretendente për titullin e kampionit, Llapi pritet të ketë punë më të lehtë në shtëpi.

Djelmoshat e udhëhequr nga Bylbyl Sokoli do të ndeshen me skuadrën e fundit në tabelë KEK-un.

Llapi shihet si favorit i madh në letër, ndërsa ‘Elektricistët’ do të udhëtojnë drejt Podujevës për të befasuar duke synuar të marrin pikët e para në kampionat.

Të dyja sfidat si në Drenas ashtu edhe në Podujevë do të startojnë nga ora 15:30. /Telegrafi/