Udhëheqësi i Barcelonës, Ada Colau, bëri thirrje për qetësi dhe ndërprerje të protestave të dhunshme nga separatistët katalonas, të cilat eskaluan në masë të madhe.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Barcelona nuk e meriton këtë”, tha Colau, duke shtuar se protesta e së premtes ka qenë më e rënda në ditët e fundit.
Protestuesit janë të zemëruar nga vendimi i Gjykatës Supreme që dënoi me burg nëntë liderë separatistë.
Separatistët radikalë janë përplasur me policinë që nga e hëna në disa qytete. Autoritetet deklarojnë se më shumë se 400 persona janë lënduar, shumë nga ta zyrtarë policorë, derisa janë arrestuar 150 persona.
Forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës të premten mbrëma për të shpërndarë protestuesit në Barcelonë. /REL/