Telegrafi

Lideri i Hezbollahut njoftoi se nesër do të intensifikohen luftimet në kufirin me Izraelin

Lideri i organizatës ushtarake libaneze, Hezbollah, Hassan Nasrallah ka njoftuar sot, me rastin e varrimit të komandantit të vrarë të kësaj organizate pro-iraniane, Fuad Shukr, se luftimet në kufirin me Izraelin do të rifillojnë nesër me intensitet të shtuar.

Ai tha se Hezbollahu po analizonte me kujdes “përgjigjen” ndaj vrasjes së komandantit të saj dhe se izraelitët “nuk e dinë se nga do të vijë”.

Në të njëjtën kohë, Nasrallah u përpoq të minimizonte pasojat e vrasjes në funksionimin e organizatës së tij, raportuan mediat izraelite, shkruan skynews.

“Kur komandanti ynë bëhet dëshmor, ai zëvendësohet shpejt. Ne kemi një gjeneratë të re të shkëlqyer komandantësh”, tha udhëheqësi ekstremist i Hezbollahut, duke mohuar se presioni ushtarak do të çonte në dorëzimin e Hamasit.

“Aspiratat e Benjamin Netanyahut janë që Hamasi t’i thotë “Eja, këtu janë pengjet dhe armët”. Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk do të dorëzohemi, as në Gaza, as në Liban, as në Jemen”, tha Nasrallah dhe përsëriti se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit në frontin libanez është t’i jepet fund “agresionit” të Izraelit në Gaza.

“Izraelitët tani janë të lumtur, ata kaluan “vijën e kuqe” dhe tani duhet të presin zemërim në të gjitha frontet që mbështesin Gazën”, paralajmëroi Nasrallah, duke aluduar për organizatat pro-iraniane në Lindjen e Mesme.

Ai beson se vrasja e një komandanti të Hezbollahut në Bejrut të martën, për të cilën Izraeli mori përgjegjësinë, nuk është një përgjigje ndaj sulmit me raketa të së shtunës në Lartësinë e pushtuar të Golanit, ku vdiqën 12 fëmijë dhe të rinj, por një “akt lufte” dhe se Hezbollahu po paguan çmimin për mbështetjen e Gazës dhe popullit palestinez në përgjithësi. /Telegrafi/