Liderët politikë kanë përkujtuar Fadil Vokrrin në dyvjetorin e vdekjes së tij.
Legjenda e futbollit kosovar kishte ndërruar jetë më 9 qershor të vitit 2018 nga një sulm në zemër në ora 9:00 të mëngjesit.
Duke bërë homazhe tek varri i tij, leiderët vendorë kanë lartësuar figurën e tij, duke thënë se falë tij, futbolli kosovar është në nivele më të larta.
Statusi i plotë i Presidentit Hashim Thaçi:
“Dashurinë për futbollin e shndërroi në kontribut jetësor për Kosovën. Në dyvjetorin e vdekjes e kujtojmë legjendën Fadil Vokrri, i cili e zhvilloi dhe ndërkombëtarizoi sportin kosovar në arenën ndërkombëtare. Me profesionalizimin, urtësinë dhe vizionin e tij, Vokrri arriti ta anëtarësoi Kosovën në UEFA dhe FIFA. Gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij!”, ka shkruar i pari i vendit në Facebook.
Statusi i plotë i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa:
“Sot, në dy vjetorin e vdekjes përkujtojmë ikonën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin. Vokrri ishte personalitet me vlera të larta njerëzore dhe sportist i nivelit ndërkombëtar. Ai me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtar, arriti që vendin tonë ta anëtarësoj në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit në nivel botëror në UEFA dhe FIFA”.
“Emri dhe figura e Fadilit do të jenë motivi i cdo të riu që synon të bëjë karrierë të suksesshme në fushën e futbollit”.
“Kosova është krenare që lindi dhe rriti një talent të rrallë siq ishte Fadili. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Vokrrit”, ka shkruar Mustafa.
Statusi i plotë i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti:
“Bashkë me deputetët z. Shpejtim Bulliqi, znj. Saranda Bogujevci, z. Fitim Haziri dhe z. Yll Rugova nderuam veprën dhe jetën e Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit e të sportit, në dy vjetorin e vdekjes së tij”.
“Fitoret e Prishtinës ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën. Tregojnë bashkëlojtarët e tij me gjysëm shaka: ‘kur ndeshja ishte sfilitëse dhe donim të pushonim ia kalonim topin Fadilit’. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e vajzave e djemve tanë”, ka thënë Kurti.
Statusi i plotë i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj:
“Sot, në dy-vjetorin e kalimit në amshim, kujtojmë kontributin e pashoq të ikonës së sportit, Fadil Vokrrit, për futbollin tonë, që kulmoi me anëtarësimin në FIFA e UEFA. Do të të kujtojmë përjetë, kampion!”.
Postimi i plotë i të parti të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj:
“Dy vite pa legjendën dhe emblemën e futbollit shqiptar! Sot bëhen dy vjet nga vdekja e ikonës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrri. Në këtë ditë kujtojmë legjendën e futbollit shqiptar i cili na ka bërë të gjithëve krenarë me paraqitjet e tij në fushat e blerta”.
Me talentin e tij, Vokrri u bë burim frymëzimi për gjenerata të tëra sportistësh. Si kryetar i FFK-së, Vokrri ishte më meritori për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.I përjetshëm kujtimi për ty, Fadil!”, ka shkruar Limaj. /Telegrafi/