Telegrafi

Liderët e partive politike i përgjigjen pozitivisht ftesës së Thaçit për takim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të zhvillojë takime të ndara me liderët e partive politike, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror. 

Telegrafi ka mësuar se të gjithë liderët e partive politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit dhe se takimet janë të konfirmuara. Takimin e parë, presidenti Thaçi do ta mbajë me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa në ora 10:30, për të vazhduar më pas në ora 11:30 takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, transmeton Telegrafi.

Pas Veselit, Thaçi do të takojë kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në ora 12:30.

Lexo po ashtu Haradinaj merr pjesë në takimin e ftuar nga Thaçi

Presidenti Thaçi do ta takojë dhe kryeministrin Albin Kurti, në ora 13:00. Takimi mes tyre është i pari pas ardhjes së Kurtit në pushtet.

Ndërkaq me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Thaçi do të takohet në ora 13:45.

Takimin e fundit, presidenti do ta ketë me kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke filluar nga ora 14:15.

Ndryshe, në njoftimin e bërë nga Presidenca thuhet se Thaçi do të takojë krerët e partive politike në vend, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror. Kujtojmë se para disa ditësh, presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/