Site icon Telegrafi

Liderët e Kosovës përkujtojnë Nënë Terezën në 110 vjetorin e lindjes

Liderët institucional dhe politikë të Kosovës kanë përkujtuar humanisten Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza në 110 vjetorin e lindjes.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka shkruar se shqiptarët i dhanë botës nënën më të dashur për gjithë njerëzimin.

Sipas tij, para 11o vjetësh erdhi në këtë botë për t’u bërë simbol i mirësisë së saj, Nënë Tereza.

“Populli ynë i dha botës nënën më të dashur për gjithë njerëzimin. I dha Shën Terezën, e cila më 26 gusht 1910, para 110 vjetësh, erdhi në këtë botë për t’u bërë simbol i mirësisë së saj. Me shpirtin e saj solidar, me rrugën fisnike dhe kujdesin që tregoi për njerëzit në nevojë, ajo u bë mishërim i vlerave më të mira njerëzore. Shën Tereza është kudo e lartësuar dhe shumë institucione, sheshe e rrugë në botë mbajnë emrin e saj. Me shenjtërimin e Nënës Terezë është shenjtëruar edhe prejardhja shqiptare dhe për bamirësinë e saj do të jetë përjetësisht e admiruar. Si popull i vogël jemi shumë krenarë që i kemi dhënë botës një shenjtore kaq të madhe, siç është Shën Tereza”, ka shkruar Thaçi.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka përkujtuar 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, ku ndër të tjera theksoi se ajo tërë jetën ia dedikoi bamirësisë ndaj njerëzve në nevojë.

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe’. Sot, 110 vite më parë, më 26 gusht 1910, në Shkup u lind Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – SHËN Tereza, e cila tërë jetën ia dedikoi bamirësisë ndaj njerëzve në nevojë. Përkushtimi, ndihma dhe dashuria e saj ndaj njerëzve, e bëri atë që të jetë jo vetëm Nëna e Jonë, por Nëna e gjithë Botës. Vepra dhe jeta e saj më pas edhe u shenjtërua nga Vatikani, prandaj ndihemi jashtëzakonisht krenarë me veprën e saj”, ka shkruar Hoti në Facebook.

110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës e përkujtoi edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili përmes një statusi në Facebook ka shkruar se shqiptarët i dhanë shumë civilizimit botëror, në të gjitha periudhat historike.

“Sot në ditëlindjen e saj, kujtojmë bijën tonë, që me fuqinë e saj rrezatuese, mbeti e pavdekshme në historinë botërore. Shenjtorja Nënë Tereza, erdhi në jetë 110 vite më parë, për t’u bërë sinonim i shpresës për miliona njerëz, shembull përkushtimi në mbrojtjen e jetës njerëzore. Shqiptarët përgjithmonë krenarë për Shën Terezen, të bekuar që botës i dhanë nobelisten e paqes, që dhuroi aq shumë dashuri për njerëzimin deri në frymën e fundit”, shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version