Në një takim të rëndësishëm të organizuar në Innovation Centre Kosova (ICK), përfaqësuesit e bizneseve vendore, sipërmarrësit dhe investitorët nga diaspora dhe ata vendorë do të mblidhen sot për të diskutuar zhvillimin e Forumit Ekonomik të Diasporës (DEF), një ngjarje e cila do të mbahet në prill të vitit 2026 në qytetin e Bernit në Zvicër.
Ky forum do të shërbejë si një mundësi e veçantë për lidhjen e liderëve të biznesit nga e gjithë bota me tregjet lokale, duke krijuar mundësi për bashkëpunime dhe investime të reja.
Kështu tha në një intervistë për Telegrafin, Luli Rexhepi, presidenti i Bordit të Forumit Ekonomik të Diasporës (DEF).
Rexhepi theksoi se qëllimi kryesor i forumit është të lidhë bizneset dhe investitorët nga diaspora me njëri-tjetrin dhe me tregjet e ndryshme, duke krijuar mundësi për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
“Qëllimi i forumit është që të lidhemi me krejt biznesin globalisht. Interesimi për këtë forum është shumë i madh. Për shembull, në Bern para një muaji gjysmë, kemi pasur rreth 120 kompani pjesëmarrëse”.
Sipas tij, DEF-i nuk do të jetë vetëm një ngjarje e zakonshme, por një mundësi e rëndësishme për ekspozimin e produkteve të kompanive pjesëmarrëse.
“Ky forum ka për qëllim që t’i lidh krejt bizneset globalisht. Do të takohemi një herë në vit dhe do ta mbajmë një forum në një mënyrë që nuk ka ndodhur deri tani,” tha ai.
Një tjetër aspekt që Rexhepi theksoi është nevoja për krijimin e lidhjeve të forta mes kompanive që operojnë në Kosovë dhe vende të tjera të Evropës.
Për më shikoni intervistën e plotë këtu: