Site icon Telegrafi

Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitit të Procesit të Berlinit nënshkruan një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për lëvizshmërinë, që përfshin qasjen në arsimin e lartë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere ishin gjithashtu të pranishëm.

Kancelari Olaf Scholz vuri në dukje rëndësinë e marrëveshjeve duke thënë se ato “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë” dhe theksoi se Procesi i Berlinit është një instrument thelbësor për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, miratuar nga Bashkimi Evropian në maj.

Më 11 tetor, vendet anëtare të BE-së miratuan agjendat e reformave për pesë vende të rajonit, përveç Bosnje e Hercegovinës, e cila ende pret miratimin për shkak të dokumentacionit të paplotë.

Kosova pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan, me më shumë se 250 milionë euro në formën e fondeve pa kthim dhe pjesën tjetër në formë kredish të volitshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në samit, njoftoi se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët e Bosnje e Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë me vetëm letërnjoftime, duke hequr kështu detyrimin aktual për viza, që ekziston mes dy vendeve.

Kjo shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të lëvizjes së lirë në rajon, pas marrëveshjes së vitit 2022, e cila nuk u zbatua plotësisht.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, por Bosnja nuk e kishte ratifikuar ende këtë marrëveshje.

Exit mobile version