Telegrafi

Liderët botërorë urojnë Erdoganin për fitoren në zgjedhje

Udhëheqësit botërorë kanë uruar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan pasi ai fitoi zgjedhjet në një balotazh historik që përbënte sfidën më të madhe për 20 vitet e tij në pushtet.

Erdogan fitoi presidencën e Turqisë me 52,14 për qind të votave, tha kreu i Këshillit të Lartë Zgjedhor, Ahmet Yener, të dielën, duke zyrtarizuar rezultatet, përcjell Telegrafi.

Me 99.43 për qind të kutive të hapura, rivali i Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu mori 47.86 për qind të votave, tha Yener.

Dhe me një hendek prej më shumë se dy milionë votash midis kandidatëve, pjesa tjetër e votave të panumëruara nuk do të ndryshojë rezultatin, shtoi ai.

Pas kësaj, kanë ardhur edhe urimet nga liderë të shumtë botërorë.

Lexo po ashtu Konfirmohet zyrtarisht: Erdogan është fitues i zgjedhjeve në Turqi

Përveç presidentit amerikan, Joe Biden, presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Erdoganin e kanë uruar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu e uroi Erdoganin për fitoren e tij dhe tha se shpreson për një “forcim të partneritetit strategjik për të mirën e vendeve tona, si dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës”.

Vende të tjera që kanë uruar Erdoganin janë edhe Suedia, Brazili, Izraeli, Afganistani, Malta, Algjeria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Venezuela, Pakistani, Irani, Palestina e Katari. /Telegrafi/