Më shumë se 238 mijë nxënës të arsimit bazë dhe atij të mesëm do të përfitojnë libra falas këtë vit të ri arsimor në Shqipëri.
Lajmin e ka ndarë me ndjekësit, kryeministri Edi Rama në Facebook, duke publikuar pamje nga shpërndarja e librave, ku shihet edhe ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
“Mirëmëngjes dhe me fillimin e shpërndarjes së librave shkollorë FALAS për më shumë se 238 mijë nxënës të arsimit bazë dhe atij të mesëm, një mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet në prag të vitit të ri shkollor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Janë rreth 227 mijë nxënës nga klasa pare deri në klasën e nëntë që do të pajisen me tekste falas dhe rreth 12,500 nxënës nga klasa e dhjetë deri në klasën e dymbëdhjetë që i përkasin kategorive të caktuara të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.
Shpërndarja e librave do të vazhdojë sipas një grafiku të caktuar në koordinim me mësuesit dhe prindërit, duke siguruar që të gjithë nxënësit të marrin tekstet e tyre në kohë.
Kujtojmë se mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në vend, qofshin këto publike apo private, do të nisë zyrtarisht në datën 9 shtator. Për secilin cikël të arsimit parauniversitar është detajuar struktura e plotë e vitit të ri shkollor, me periudhat në të cilat do të zhvillohet mësim, periudhat e pushimeve, si dhe afatet kur do të zhvillohen provimet kombëtare.
Sa i takon arsimit bazë, bëhet e ditur së viti shkollor do të nisë në datën 9 shtator të vitit 2024, për të përfunduar më 13 qershor të vitit të ardhshëm. Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa përudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill. /Telegrafi/