Site icon Telegrafi

Libër kot, i mërzitshëm dhe i pakuptimtë: Kryevepra që shpëtoi nga grumbulli i dorëshkrimeve të refuzuara

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

“Shkruaj për atë që di” është këshilla që shpesh u jepet autorëve aspirues, dhe vepra Lord of the Flies [botuar në gjuhën shqipe me titullin Perëndia e mizave] është një shembull spektakolar i asaj se si klishetë mund të përmbajnë disa të vërteta. Si mësues në një shkollë për djem dhe si dëshmitar i çnjerëzores gjatë Luftës së Dytë Botërore, William Golding [1911–1993] përmblodhi këtë njohuri dhe përvojë në romanin e tij të parë, në një rrëfim për djemtë e një anijeje të përmbytur që shndërrohen në egërsira në një ishull të shkretë. Rrëfimi i tij rezonon te shumë breza lexuesish dhe shërben si një paralajmërim i zymtë se të këqijat e Gjermanisë naziste mund të përsëriten kudo.

Golding ishte gati 43 vjeç kur libri Perëndia e mizave u botua për herë të parë. Ideja e tij ishte një ripërpunim cinik – në kontekstin e shekullit XX – i romanit të vitit 1857 nga R.M. Ballantyne, Ishulli Koral [The Coral Island], që flet për një grup nxënësish britanikë të shpëtuar nga një anije e përmbysur, të cilët civilizojnë një ishull të shkretë duke e shndërruar në një shesh për argëtim dhe lojëra. Pjesa më e madhe e dorëshkrimit të tij origjinal ishte shkruar me dorë në fletore, gjatë kohës së orëve mësimore. Ai madje punonte me romanin gjatë mësimeve, sa herë që nxënësit e tij ishin të zënë me leximin e librave. Disa prej tyre kishin për detyrë të numëronin fjalët që ai kishte shkruar në faqe.

Në vitin 1953, Golding e dërgoi romanin e tij tek nëntë botues, por të gjithë e refuzuan atë. I patrazuar, ia ofroi dorëshkrimin shtëpisë botuese Faber and Faber, një prej firmave më prestigjioze në Londër. Dorëshkrimi kaloi në duart e Charles Monteithit – një redaktor i ri, i cili ishte punësuar vetëm disa muaj më parë në shtëpinë botuese. Shenjat e para nuk ishin premtuese. Në emisionin Bookmark të BBC-së, në vitin 1984, ai tha: “Kishte një lloj gjëje të veçantë që mund të dallohej; ishte një dorëshkrim i vjetër që kishte kaluar nëpër duar të shumë botuesve, para se të mbërrinte tek ne. Ishte një dorëshkrim i madh me faqe të zverdhura që kishin nisur të rudhen dhe me një ose dy njolla të filxhanëve të çajit ose të gotave të verës, me pika kafeje dhe çaji të derdhura, i lidhur me karton të keq ngjyrë kafe, me një letër të shkurtër formale”.

Një nga lexueset e botuesve e kishte dhënë tashmë verdiktin e saj mbi dorëshkrimin e Goldingut, duke e hedhur poshtë atë si një “fantazi absurde dhe jointeresante”. Së bashku me një “R” të rrethuar për “refuzim”, ajo shkroi: “I kotë dhe i mërzitshëm. I pakuptimtë”.

Për fat të mirë për Goldingun, Monteithi i dha librit një shans tjetër dhe vendosi ta shpëtonte nga harresa. Ai tha: “Ia hodha një sy dhe duhet të them që fillimi nuk më tërhoqi aspak, por vazhdova të lexoja dhe u përfshiva nga ai. Dhe, që atëherë thashë ‘duhet ta marrim seriozisht'”.

Ai e bindi shtëpinë botuese që të botonte librin, por Goldingu fillimisht duhej të bënte disa ndryshime të rëndësishme në tekst. Gjithashtu, duhej të hiqej titulli i tij origjinal, Të huaj nga brenda [Strangers from Within]. Sipas biografit të Goldingut, profesorit John Carey, dorëshkrimi origjinal ishte një roman fetar, “shumë më ndryshe nga Perëndia e mizave që shumica e njerëzve kanë lexuar”. Duke folur në dokumentarin e vitit 2012, Ëndrrat e William Goldingut [The Dreams of William Golding], Carey tha se autori u bë fetar pas Luftës së Dytë Botërore, pasi kishte shërbyer në një destrojer të Marinës Mbretërore, por pas korrigjimeve të redaktorit të tij, Monteithit, këto elemente u hoqën. “Golding pranoi, pranoi, pranoi, derisa përfundimisht libri doli si një roman laik; nuk supozon ndonjë ndërhyrje të mbinatyrshme”, tha ai.

Përvoja e luftës i dha Goldingut një ndjesi të thellë për aftësinë e njeriut për të keqen dhe një zhgënjim me politikën idealiste të rinisë së tij. Perëndia e mizave ishte paralajmërimi i tij se nazizmi, i cili përfshiu Gjermaninë në vitet 1930, mund të ndodhte në çdo vend të qytetëruar. Duke folur në emisionin The South Bank Show në vitin 1980, ai shpjegoi se si lufta i kishte transformuar qëndrimin ndaj natyrës njerëzore.

“Thjesht ndryshoi, sepse, pak nga pak, zbuluam se çfarë kishin bërë nazistët. Këtu ishin këta njerëz shumë të civilizuar, që bënin gjëra të pamundura. Më kujtohet që në ato ditë i thoja vetes: ‘Po, mirë, unë brenda meje kam një nazist; duke pasur rrethanat e duhura, mund të kisha qenë nazist … Pak nga pak, kur mësova gjithnjë e më shumë për atë që kishte ndodhur, kjo vërtet ndryshoi pikëpamjen time për atë se çfarë ishin të aftë njerëzit dhe, për rrjedhojë, se cila ishte natyra njerëzore. Kështu, mjetet politike më dukeshin sikur ranë përtokë përballë aftësisë së njeriut për të keqen absolute”.

Edhe pse Perëndia e mizave u prit mirë nga kritika, vetëm pas publikimit të tij në ShBA, dhe veçanërisht pas botimit të versionit të vitit 1959, Goldingu u bë një autor bestseller ndërkombëtar dhe filloi të fitonte shuma të mëdha honorarësh. Ky sukses e lejoi të linte punën e tij si mësues dhe të bëhej shkrimtar me kohë të plotë. “Nuk më pëlqente ana sistematike e mësimdhënies; nuk jam një person shumë sistematik”, pranoi ai në emisionin Bookmark në vitin 1984.

Për statusin e tij si një shkrimtar që shpërtheu në moshë më të madhe, ai tha se përparësia e tij ishte që kuptoi se duhej të ndalonte së imituari shkrimtarët e tjerë. “Mendoj se kur isha 37 vjeç, kuptova të vërtetën e madhe: se duhet të shkruani librat tuaj dhe jo të askujt tjetër, dhe më pas gjithçka doli nga kjo”, tha ai për Monitor në vitin 1959.

Si një autor origjinal dhe me imagjinatë, Goldingu vazhdoi të shkruante libra të tjerë. Në vitin 1983, ai u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë “për romanet e tij të cilat, me mprehtësinë e artit narrativ realist dhe diversitetin dhe universalitetin e mitit, ndriçojnë gjendjen njerëzore në botën e sotme”.

Për Goldingun, sekreti i suksesit të tij ishte pothuajse një klishe. Ai i tha Bookmark-ut në vitin 1984: “Gjithashtu, jam tregimtar nga fillimi deri në fund. Ajo që ka rëndësi për mua është që të ketë një histori me një fillim, një mes dhe një fund”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version