Angela Carini u tërhoq pas vetëm 46 sekondave në meçin e saj kundër Irene Khelif dhe një lexues buzësh ka zbuluar saktësisht se çfarë tha ajo në ring.
Udhëtimi në Lojërat Olimpike “Paris 2024” i Carinit përfundoi pas më pak se një minute në raundin e parë kundër Khelifit të Algjerisë me fitoren që ndezi polemika të mëdha në të gjithë botën.
Khelif dështoi në testin e përshtatshmërisë gjinore në vitin 2023, gjë që rezultoi në s’kualifikimin e saj nga Kampionatin Botëror 2023, por u lejua të konkurronte në Lojërat Olimpike nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Ajo goditi me grushte të forta kundërshtaren e saj italiane, të cilat i hoqën dukshëm helmetën e kokës Carinit. Pasi u trondit, Carini në fund vendosi ta hedhë peshqirin pasi u kthye në këndin e saj. Ajo nuk pranoi t’i shtrëngonte dorën kundërshtares së saj pas përfundimit të meçit.
Tani, një lexues buzësh ka zbuluar se çfarë tha Carini në këndin e saj vetëm disa sekonda pasi vendosi se nuk mund të konkurronte më.
Sipas Gazzetta dello Sport, Carini u kthye në këndin e saj dhe tha: “Më dhemb si ferr”.
Pavarësisht polemikës rreth fitores, Carini refuzoi të tërhiqej nga reagimi në internet dhe pretendoi se ajo u tërhoq nga lufta si pasojë e një dëmtimi.
“I dhashë fund ndeshjes sepse pas goditjes së dytë, pas vitesh eksperiencë në ring dhe një jetë luftarake, ndjeva një dhimbje të fortë në hundë”.
“Unë thashë ‘mjaft’ sepse nuk munda ta çoja ndeshjen deri në fund. Kështu mendova, ndoshta është më mirë t’i jap fund ndeshjes”, deklaroi italiania.
Khelif do të rikthehet në aksion të shtunën kur do të përballet me hungareze Anna Luca Hamori në raundin tjetër.
Përpara përballjes me Khelifin, e cila ka humbur nëntë herë gjatë karrierës së saj – Hamori tha: “Nuk jam e frikësuar. Nuk më interesojnë historitë e shtypit dhe mediat sociale”. /Telegrafi/