Telegrafi

Lewandowski u hakmor ndaj Barcelonës me një përfundim të shkëlqyeshëm të aksionit, goli i tij krahasohet me atë të Messit

Goli i dytë i Robert Lewandowskit për Bayern Munich në Camp Nou të mërkurën mbrëma ndihmoi gjigantët gjermanë të hakmerreshin ndaj Barcelonës, gjashtë vjet pasi Lionel Messi kishte shënuar një gol të ngjashëm, poshtërues.

Bayern Munichu u tregua i fortë për Barcelonën, duke e mposhtur me rezultat të pastër 3-0 në ndeshjen e parë të Grupit E në Ligën e Kampionëve.

Golat në këtë përballje për Bavarezët u shënuan nga Thomas Muller (34’) dhe Robert Lewandowski (56’, 85’).

Lexo po ashtu Bayern Munich tregon forcën përballë Barcelonës – mposht bindshëm kataluasit në “Camp Nou”

Megjithatë, goli me i përfolur është i treti i Bayernit apo i dyti personal i sulmuesit polak i shënuar në fund të ndeshjes.

Lewandowski u tregua ‘akull’ nga një top i kthyer nga shtylla, pasi me qetësi dribloi dhe rrëzoi keq Gerard Piquen, duke e futur pastaj topin në rrjetë.

Goli i polakut ktheu në kujtesë golin e famshëm të Lionel Messit të shënuar pikërisht në vitin 2015 kundër Bayernit.

Atë kohë Messi mori një top jashtë zonës dhe me tu futur brenda saj, rrëzoi qendërmbrojtësin Jerome Boateng me disa lëvizje madhështore dhe mashtrime.

Këto dy gola tashmë kanë filluar të krahasohen dhe Piquen mund ta presë tallja e njëjtë sikurse Boatengun. /Telegrafi/