Një 42-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë pasi është kapur me armë zjarri pa leje.
Policia bën të ditur se në pranga është vënë shtetasi me iniciale M. V., 42 vjeç, banues në Paskuqan.
“Qarkullonte i armatosur, falë inteligjencës policore lokalizohet dhe arrestohet në flagrancë 42-vjeçari.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Driver 2” nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në rrugën “Dine Hoxha”, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Driver 2”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. V., 42 vjeç, banues në Paskuqan, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në rrugën “Dine Hoxha”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. V., dhe gjatë kontrollit fizik të tij, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër e municion luftarak”, njofton policia. /Telegrafi/