Telegrafi

Lëviznin me armë zjarri në makinë, arrestohen tre persona në Tiranë

Foto: Ilustrim

Finalizohet nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Almak”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin me armë zjarri pistoletë në automjet, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet dhe dy mjete të forta (çekiçë).

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Almak”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve K. Y., 35-vjeç, E. M., 41-vjeç, dhe A. N., 32-vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në rrugën “Muzakët”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. N., dhe pasagjerë shtetasit K. Y., dhe E. M. Në momentin e ndalimit, shtetasi E. M., ka kanosur punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. Y., shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, për të cilën drejtuesi i automjetit, shtetasi A. N., ka dhënë deklaratë të rreme, se arma ishte e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet, dhe dy mjete të forta (çekiçë), të gjetura gjatë kontrollit të automjetit.

Vijon puna për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së armës së zjarrit dhe sendeve të forta, nga 3 të arrestuarit.