Telegrafi

Lëvizja Vetëvendosje aplikon në KQZ për t’u bërë parti politike

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar si parti politike.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se LVV ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkesa për regjistrim është në procedurë të shqyrtimit administrativ në Zyrën e Regjistrimit dhe Certifikimit të Partive Politike.

Sipas tij, aktualisht kërkesa është në fazën përfundimtare dhe javën e ardhshme presin që t’ju dorëzohet rekomandimi i ZRPPC-së dhe vendimi i KQZ-së për regjistrim.

“Duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje, është një subjekt politik parlamentar dhe që tashmë ka marrë pjesë në disa palë zgjedhje nga viti 2010, kërkesa për regjistrim dhe shqyrtimi i saj është një formalitet, andaj edhe presim që procesi i regjistrimit dhe vendimi i KQZ-së të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë”, ka thënë Rrustemi për Telegrafin.

Ndërkaq, sipas tij nuk ka asnjë pengesë për regjistrim pasi dokumentacioni është kompletuar.

I pyetur nga Telegrafi, nëse ekziston mundësia e refuzimit të kësaj kërkese ai tha: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit dhe angazhimit politik, kurse ligji për zgjedhjet e përgjithshme qartazi i parasheh kriteret dhe dokumentet që duhet të përmbushen. Në bazë ligjit, në asnjë rast nuk mund të refuzohet një kërkesë për regjistrim, përveçse nëse dokumentacioni i aplikimit nuk është i kompletuar, ashtu siç e përcakton ky ligj”.

Ndërkaq KQZ-ja e ka publikuar në ueb-faqen e saj, regjistrimin e Lëvizjes Vetëvendosje si parti politike për shqyrtim publik./Telegrafi/